Vlora Çitaku: Albin, mjaft, konstituoje Kuvendin e lëre Kosovën të ecë përpara

Deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka reaguar pas ndërprerjes së seancës për konstituimin e Kuvendit, pasi kreu i LVV’së, Albin Kurti, s’ka propozuar kandidat për kryetar të Kuvendit.

Ajo ka thënë se po shihet qartë që zvarritja s’po ndodh si pasojë e rrethanave politike, por se Kurti ka zgjedhur të veprojë politikisht në një mënyrë të tillë.

Çitaku ka thënë se s’ka pasur asnjë arsye që të mos propozojë kryetar të Kuvendit.

“Mosveprimi i sotëm nuk është vetëm papërgjegjësi politike. Është shpërfillje e drejtpërdrejtë e rendit kushtetues dhe e detyrimeve që burojnë nga aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese”, ka shkruar ajo.

Reagimi i plotë:

Sot u pa qartë se zvarritja e krijimit të institucioneve nuk është pasojë e rrethanave, por zgjedhje politike e Albin Kurtit dhe Lëvizjes Vetëvendosje.

Sot nuk kishte asnjë arsye që të mos propozohej kandidati për Kryetar të Kuvendit dhe që Kuvendi të mos votohej për konstituimin e tij. Aq më tepër kur Gjykata Kushtetuese ka qenë krejtësisht e qartë në aktgjykimin e saj: Kuvendi jo vetëm duhet të mblidhet, por duhet të konstituohet brenda 30 ditëve nga certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve.

Mosveprimi i sotëm nuk është vetëm papërgjegjësi politike. Është shpërfillje e drejtpërdrejtë e rendit kushtetues dhe e detyrimeve që burojnë nga aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese.

Kosova nuk mund të mbahet peng për llogari të kalkulimeve politike të një njeriu apo një partie.

Albin, mjaft. Konstituoje Kuvendin menjëherë dhe lëre Kosovën të ecë përpara.

By admin7