Pas reagimeve dhe akuzave të publikuara në rrjetet sociale lidhur me manifestimin “Vera e Mërgimtarëve – Vaksincë 2026”, ka reaguar Zija Zeqiri, djali i dëshmorit të UÇK-së, Zaim Zeqiri.
Ai ka bërë të ditur se gjatë manifestimit, i cili u mbajt nga 1 deri më 3 gusht 2026, janë zhvilluar aktivitete sportive, rekreative dhe kulturore, ndërsa në ditën e dytë të programit janë bërë homazhe dhe janë vendosur lule te varrezat e dëshmorëve.
Sipas tij, para nisjes së ecjes në mal, pjesëmarrësit kanë nderuar dëshmorët duke vendosur lule te varri i Komandant Fadil Nimanit – Tigri dhe te varri i dëshmorit të Kombit Zaim Zeqiri.
Zeqiri thekson se lulet janë vendosur nga një veteran i UÇK-së, i ardhur enkas nga Austria për të marrë pjesë në këtë manifestim, në prani të të gjithë pjesëmarrësve.
Ai shton se gjatë ecjes është vizituar edhe “Çeshma e Xhavitit”, e cila mban emrin e gjyshit të veteranit, duke e cilësuar të gjithë aktivitetin si një nderim të historisë, kujtesës dhe trashëgimisë së vendlindjes.
Duke reaguar ndaj kritikave të bëra në publik, Zija Zeqiri i cilëson ato si të pavërteta.
“Si pjesëmarrës në këtë manifestim dhe si familjar i një dëshmori, ndiej përgjegjësi morale të reagoj ndaj këtyre akuzave të pavërteta. Dëshmorët nuk janë pronë e askujt dhe emri i tyre nuk duhet të përdoret për motive të ulëta apo për përçarjen e bashkëvendasve. Kritika është e mirëpritur, por vetëm kur mbështetet në të vërtetën. Para se të akuzoni, shikoni faktet!”, thuhet në reagimin e tij.
Reagimi vjen pasi në opinion u publikuan pretendime se gjatë manifestimit nuk ishin bërë homazhe te varrezat e dëshmorëve, pretendime të cilat Zeqiri i mohon, duke theksuar se nderimet janë zhvilluar në praninë e të gjithë pjesëmarrësve.



