Vrasje në Korçë, viktima pjesë e Forcave të Armatosura! Autori, shoku i tij

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur pasditen e sotme në lagjen 14 të qytetit të Korçës, ku një 20-vjeçar dyshohet se është vrarë me armë zjarri.

Viktima është identifikuar si Johan Zuko, pjesë e Forcave të Armatosura. Sipas informacioneve paraprake, në ngjarje dyshohet se është përdorur një armë zjarri e tipit kallashnikov.

Të dhënat e para bëjnë me dije se viktima dhe autori i dyshuar ishin shokë dhe janë rritur së bashku. Dyshohet se autori e ka ndjekur 20-vjeçarin deri në lagjen ku ndodhi ngjarja. Viktima, i cili nuk ishte banor i zonës, mësohet se ka tentuar të fshihet brenda një pallati, por autori dyshohet se e ka ndjekur dhe e ka qëlluar për vdekje brenda godinës.

Sipas burimeve për gazetaren e Klan News, Daniela Zisi, autori i dyshuar ka precedentë penalë për armëmbajtje pa leje dhe plagosje.

Vijon puna për lokalizimin dhe kapjen e autorit. Në disa zona janë ngritur edhe postoblloqe policie, ndërsa kontrollet vijojnë për gjetjen e të dyshuarit. Sakaq, tre persona janë shoqëruar si të përfshirë në konfliktin ku humbi jetën i riu.

Forcat e Policisë kanë mbërritur në vendngjarje dhe po kryejnë veprimet hetimore për dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.

“Rreth orës 16:30, në lagjen nr. 15, në rrugën “Viktor Eftimiu”, Korçë, ka ndodhur një konflikt ndërmjet disa personave, i cili është përshkallëzuar në përdorimin e armës së zjarrit.

Si pasojë e të shtënave, ka humbur jetën shtetasi J. Z., rreth 20 vjeç, banues në lagjen nr. 14, Korçë.

Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore dhe operative të kryera nga shërbimet e Policisë në vendngjarje, është bërë i mundur identifikimi i autorit të dyshuar, i cili është larguar nga vendngjarja menjëherë pas krimit.

Shërbimet e Policisë janë vënë në ndjekje të tij, kanë rrethuar zonën dhe vijojnë kontrollet intensive për lokalizimin dhe kapjen e autorit të dyshuar.

Ndërkohë, shërbimet e Policisë kanë shoqëruar në Komisariat, për veprime të mëtejshme procedurale, tre shtetas të dyshuar si të përfshirë në konfliktin ku humbi jetën 20-vjeçari.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet në vendngjarje për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes, dokumentimin ligjor të saj, si dhe identifikimin e të gjithë personave të përfshirë“, njoftojnë blutë.

By admin7