Profesori serb që ligjëron në Universitetin e Readingut në Mbretërinë e Bashkuar, Marko Milanovic, në një intervistë të dhënë për televizionin serb “N1” ka pretenduar se Zyra e Prokurorit të Specializuar të Hagës ka paraqitur edhe një aktakuzë të re para një muaji.
Megjithatë, sipas tij, kjo aktakuzë është sekrete dhe është ende në procesin e konfirmimit, prandaj nuk dihet se me çfarë ka të bëjë.
“Para një muaji, prokurori ka paraqitur një aktakuzë të re, për të cilën nuk e dimë se me çfarë merret; ajo ende është sekrete, sepse është në fazën e konfirmimit”, ka thënë ai në N1.
Lidhur me këtë, Gazeta Express ka dërguar pyetje në adresë së Zyrës së Prokurorit të Specializuar.
Zëdhënësi i ZPS-së, Christopoher Bennett, ka thënë për Gazetën Express se nuk komentojnë rreth spekulimeve apo hetimeve të Prokurorisë Speciale .
“Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm nuk komenton mbi spekulimet apo hetimet e saj”, ka thënë Bennett.
Deklarata e profesorit serb Milanovic është bërë të gjatë kësaj jave në televizionin N1, teksa ka folur për vendimin e Gjykatës Speciale ndaj katërshes së UÇK’së.
Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi janë dënuar me nga 25 vjet burg, Kadri Veseli me 18 vjet dhe Rexhep Selimi me 13 vjet.Në Kosovë ky vendim është pritur me zemërim, duke nxitur protesta të përditshme.
Nga Partia Demokratike e Kosovës, e themeluar nga Hashim Thaçi, nuk kanë përjashtuar veprimet ligjore që çojnë në drejtim të zhbërjes së Gjykatës Speciale.



