U zgjua i mbuluar me gjak, 78-vjeçari dyshon se e kafshoi miu

Një çift pensionistësh në Gillingham të Anglisë thonë se shtëpia e tyre është pushtuar nga minjtë, si pasojë e mbeturinave të shumta të hedhura ilegalisht në rrugicën pas banesës.

Ann Roche, 74 vjeçe, tregon se bashkëshorti i saj, Barry, 78 vjeç, u zgjua një natë i mbuluar me gjak pasi dyshohet se një mi e kishte kafshuar në gishtin e madh. Ai u detyrua të shkonte në spital për të marrë vaksinën kundër tetanozit, shkruan Metro

Çifti thotë se situata është përkeqësuar nga mbeturinat që hidhen vazhdimisht në rrugicë. Edhe pasi ato pastrohen nga ekipet komunale, mbeturinat rikthehen menjëherë.

Familja ka kapur tre minj me kurthe dhe ka shpenzuar rreth 100 funte për t’i luftuar ata.

“Ende e kam të vështirë të fle natën. Kemi kujtime të bukura nga vitet që kemi jetuar këtu. Nuk duhet të detyrohemi të jetojmë kështu”, ka thënë Ann.

Çifti tashmë kërkon që rrugica të mbyllet për të parandaluar hedhjen e mbeturinave dhe për të frenuar problemin me minjtë, transmeton Klankosova.