Shtetet e Bashkuara po përcjellin raportimet për një rast të dyshuar të murtajës pneumonike në Rusi, pasi një punonjëse 28-vjeçare laboratori vdiq në rajonin siberian të Irkutskut.
Rasti nxiti disa politikanë amerikanë të kërkojnë kufizime të gjera të udhëtimit nga dhe drejt Rusisë.
“Jemi në dijeni të raportimeve për një rast të dyshuar të murtajës pneumonike me pasojë vdekjen në rajonin e Irkutskut, në Rusi”, tha më 4 tetor një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit për Radion Evropa e Lirë.
“Po e ndjekim nga afër situatën, në koordinim me Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) dhe agjencitë e tjera partnere”, tha ai.
Departamenti amerikan i Shtetit u bëri thirrje autoriteteve ruse që “të ndajnë informacione të sakta, shpejt dhe në mënyrë transparente”.
Ai theksoi se murtaja mund të trajtohet me antibiotikë që janë gjerësisht të disponueshëm, veçanërisht nëse trajtimi nis herët.
Edhe një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shëndetësisë dhe Shërbimeve Njerëzore konfirmoi se Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) po bashkëpunojnë me Departamentin e Shtetit.
Sipas tij, siguria e qytetarëve amerikanë mbetet “prioriteti më i lartë” i departamentit



