Rreth 500 shkolla mbetën të mbyllura në Francë edhe këtë të hënë pas protestave dhe përplasjeve të nxënësve me policinë në javën e fundit.
Ministri i Arsimit të vendit tha se masa është marrë pasi këto institucione nuk ofrojnë sigurinë e nevojshme për të vazhduar procesin mësimor.
24 shkolla janë djegur ose plaçkitur që nga nisja e protestave rreth një javë më parë.
Lëvizja e studentëve nisi në mes të shtatorit në Paris por u përhap javën e kaluar duke u kthyer në një organizim mbarëkombëtar. Më shumë mbështetje dhe mobilizim është paralajmëruar për këtë javë.
Mijëra nxënës të shkollave kërkojnë standarte të larta arsimi, përfshirë më shumë staf mësimor, klasa më pak të mbipopulluara dhe ndërtesa më të mira.
Qeveria e Francës ka thënë se po ndërmerr hapa për të adresuar vështirësitë me të cilat përballen nxënësit e shkollave të mesme dhe stafi arsimor por këto masa janë konsideruar si të pamjaftueshme.
Rreth 5000 persona, pjesa më e madhe e të cilëve të rinj, janë arrestuar për shkak të trazirave të ditëve të fundit në të gjithë vendin. Qindra të tjerë përfshirë protestues staf mësimor dhe punonjës policie kanë mbetur të lënduar.



