Shifrat dramatike në SHBA, mbi 8 mijë përdhunime në universitete gjatë vitit 2024

Në universitetet amerikane janë raportuar 8,227 raste përdhunimi gjatë vitit 2024, sipas të dhënave të Departamentit Amerikan të Arsimit të cituara nga New York Post. Shifrat kanë rikthyer debatin mbi dhunën seksuale në kampuset universitare.

Në Universitetin e Utah-s u raportuan 146 raste, ndërsa në Universitetin e Colorado Boulder 96 dhe në Ohio State University 67. Edhe universitete të mëdha si UCLA, Columbia, NYU dhe Cornell raportuan dhjetëra raste.

Sipas të dhënave të cituara në raportim, vetëm një pjesë e vogël e denoncimeve çon në hetime apo masa disiplinore. Në Columbia University, për shembull, u raportuan 262 incidente të dhunës seksuale, përfshirë 21 përdhunime, ndërsa vetëm një rast përfundoi me përjashtim.

Çështja është rikthyer në vëmendje edhe pas rastit të Cornell University, ku shtatë studentë u akuzuan nga një studente për përdhunim në grup. Rasti, i cili fillimisht nuk kishte çuar në ngritjen e akuzave penale, është rihapur për hetim.

Raportimet për krime seksuale në kampuset amerikane janë rritur ndjeshëm gjatë dekadës së fundit, duke nxitur debate të forta mbi sigurinë e studentëve dhe mënyrën sesi universitetet trajtojnë denoncimet.