Në Ditën Botërore të Mësuesve, Ministria e Arsimit dhe Shkencës vendosi të na tregojë edhe një herë se si e koncepton barazinë në këtë shtet.
Nga 13 mësimdhënësit e shpallur më të mirët për vitin shkollor 2025/2026, asnjë nuk është shqiptar.
Asnjë.
Madje në listë ka mësimdhënës nga Tetova dhe Gostivari, qytete me mijëra nxënës, mësues e profesorë shqiptarë, por për Ministrinë nuk u gjet asnjë mësimdhënës shqiptar që meriton të jetë mes më të mirëve.
Vështirë të besohet se kjo është thjesht rastësi.
Kur shqiptarët mungojnë vazhdimisht nga listat e të përzgjedhurve, të shpërblyerve dhe të avancuarve, atëherë nuk kemi më të bëjmë me një rast të izoluar, por me një model të rrezikshëm të përjashtimit institucional.
Vetëm pak ditë më parë pamë se nga 310 nxënës të pranuar në Shkollën e Mesme të Policisë, vetëm 9 rezultuan shqiptarë. Sot kemi 13 mësimdhënës të shpërblyer dhe përsëri zero shqiptarë.
Aleanca për Shqiptarët kërkon nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës të bëjë publike kriteret e përzgjedhjes, pikët e kandidatëve dhe përbërjen e komisionit që ka vendosur për këto mirënjohje.
Shqiptarët nuk kërkojnë dhurata dhe as privilegje. Kërkojnë vetëm një shtet që i sheh, i vlerëson dhe i trajton njësoj.
Dhe ata që përfaqësojnë shqiptarët në këtë Qeveri duhet të përgjigjen se deri kur do të heshtin para një përjashtimi që po përsëritet nga institucioni në institucion.



