Haradinaj nga Kuvendi i bën thirrje Kurtit: Kthehu ta votojmë ligjin, mos i ik përgjegjësisë

Ramush Haradinaj, në një konferencë për media nga Kuvendi i Kosovës, i ka bërë thirrje kryeministrit Albin Kurti, si dhe deputetëve të Vetëvendosjes që të kthehen në sallën e Kuvendit për të votuar Projektligjin për Dhomat e Specializuara.

Haradinaj tha se votimi i ligjit mund të bëhet në çdo moment dhe se pas përfundimit të procesit, si deputetët, ashtu edhe protestuesit, mund të kthehen në shtëpitë e tyre.

“Është ora 21:00 dhe në këtë orë i bëj thirrje Kurtit, VV-së dhe të gjithë deputetëve të kthehemi në Kuvend. Të votojmë ligjin për Dhomat e Specializuara dhe t’i kthehemi agjendës. Po besoj që në çdo orë mundemi me u kthy me votu ligjin dhe ne me u kthy në shtëpitë tona, ne dhe protestuesit. Ikja nga përgjegjësia nuk është në nderin as të pushtetarëve, as të atyre që përfaqësojnë popullin”, tha Haradinaj./Indeksonline/