Presidenti amerikan Donald Trump ka konfirmuar se SHBA-të tërhoqën bombarduesit e saj nga baza ajrore RAF Fairford në Britani, për shkak të “disa kërcënimeve”.
Pentagoni njoftoi të dielën se bombarduesit amerikanë, që besohet të kenë qenë rreth 12 avionë B-1, u rikthyen në bazat e tyre në SHBA. Trump tha se Uashingtoni kishte marrë informacion për një kërcënim dhe, për të shmangur rrezikun, vendosi t’i zhvendoste avionët.
“Ka pasur disa kërcënime. Në vend që të tundojmë armikun, do ta kapim dhe do ta mposhtim atë”, deklaroi Trump, duke shtuar se SHBA-të “e dinë se kush” qëndron pas kërcënimit, pa dhënë emra.
Natyra e saktë e kërcënimit mbetet e paqartë. Burime amerikane kanë spekuluar se mund të ketë pasur tentativa për sabotim ose sulm ndaj avionëve dhe personelit amerikan në bazë.
Vendimi vjen pas një incidenti më 27 shtator, kur policia u alarmua për tre automjete të dyshimta pranë RAF Fairford. Pesë persona u arrestuan fillimisht nën dyshimin për vepra terroriste dhe më pas u liruan me kusht. Një shtetas britaniko-iranian u arrestua gjithashtu më vonë dhe u lirua me kusht.
Sekretari Amerikan i Shtetit Marco Rubio ka qenë më i kujdesshëm, duke thënë se zhvendosja e avionëve nuk është domosdoshmërisht e lidhur me incidentin dhe se lëvizje të tilla të aseteve ushtarake janë të zakonshme. Ndërkohë, zv/presidenti JD Vance tha se bombarduesit u zhvendosën me një kujdes të jashtëzakonshëm.
Zyrtarë britanikë kanë dhënë më herët sinjale se mund të ketë pasur përfshirje të një aktori të huaj. Irani ka mohuar kategorikisht çdo përfshirje.
RAF Fairford, në Gloucestershire, është përdorur prej dekadash nga Forcat Ajrore të SHBA-ve si bazë e avancuar. Në muajt e fundit, nga aty kanë operuar bombardues B-1 dhe B-52 për misione në Lindjen e Mesme.
Tërheqja e tyre ul aftësinë e SHBA-ve për të dërguar me shpejtësi avionë bombardues kundër objektivave në Iran, duke reduktuar në një farë mase nivelin e kërcënimit.



