Sulmohen me thikë nxënësit e një shkolle në Stamboll, pesë të plagosur

Momente paniku janë regjistruar në hyrje të shkollës “Şeyh Şamil İmam Hatip Ortaokulu” në Başakşehir të Stambollit, ku një 15-vjeçare sulmoi me thikë nxënësit e tjerë.

Sipas informacioneve paraprake, vajza nuk ishte nxënëse e kësaj shkolle, por ndiqte mësimet në një institucion tjetër arsimor.

Ajo mbërriti në hyrje të shkollës në orët e mëngjesit dhe, për një arsye që ende nuk është bërë e ditur, sulmoi me thikë nxënësit që po hynin në godinë.

Nga sulmi mbetën të plagosur pesë nxënës. Situata u neutralizua nga punonjësja e sigurisë së shkollës, e cila ndërhyri menjëherë dhe arriti ta ndalonte 15-vjeçaren duke e kapur nga krahu.

Ndërhyrja e punonjëses së sigurisë besohet se parandaloi përshkallëzimin e mëtejshëm të incidentit.

Pas njoftimit për ngjarjen, në vendngjarje mbërritën forca të shumta policie dhe ekipe mjekësore. Nxënësit e plagosur morën ndihmën e parë në vend dhe më pas u transportuan në spital për trajtim.

E mitura 15-vjeçare u arrestua nga policia dhe u shoqërua në komisariat. Autoritetet kanë nisur një hetim të gjerë për zbardhjen e rrethanave dhe motivit të sulmit.