Përleshje në parlamentin armen: Kaosi shpërthen gjatë seancës

Seanca e parlamentit armen u pezullua sot pas një përleshjeje fizike midis ligjvënësve të partisë në pushtet dhe atyre të opozitës.

Incidenti shpërtheu gjatë një debati midis deputetit të opozitës, Edgar Ghazaryan, dhe drejtuesit të seancës, Ruben Rubinyan.

Pasi Ghazaryan kritikoi punën e parlamentit dhe shpenzimet shtetërore, Rubinyan ia ndërpreu mikrofonin, duke deklaruar se vërejtjet e tij nuk kishin lidhje me rendin e ditës.

Menjëherë pas kësaj, shpërtheu një përleshje fizike midis ligjvënësve të partisë në pushtet dhe atyre të opozitës.

Sipas raportimeve të mediave vendase, gjatë kaosit u hodhën shishe, ndërsa personeli i sigurisë hyri në sallë për të ndarë deputetët që po konfliktoheshin.

Përballja vazhdoi në korridorin e parlamentit, ku stafi i sigurisë u desh të ndërhynte sërish.

Seanca rifilloi pas një pushimi dhe Rubinyan u tërhoqi vërejtjen ligjvënësve se duhet t’u përmbahen rendit të ditës dhe rregullave parlamentare.