Franca dhe Gjermania ‘ultimatum’ BE-së: Mbyllni tregun me Kinën!

Franca dhe Gjermania i kanë kërkuar Komisionit Europian një instrument të ri që do t’i lejonte Bashkimit Europian të përjashtonte menjëherë nga tregu i përbashkët një vend të tretë që përpiqet të dëmtojë konkurrencën e ndershme.

Propozimi është bërë nga presidenti francez Emmanuel Macron dhe kancelari gjerman Friedrich Merz, në një letër dhe dokument të dërguar te presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen.

Sipas tyre, BE-ja duhet të ketë mundësinë të mbyllë tregun e saj për një shtet që përdor mjete politike ose ekonomike për të penguar krijimin e kushteve të barabarta për konkurrencën.

Ky mekanizëm, sipas propozimit, duhet të jetë i lehtë për t’u zbatuar dhe vendimet të merren përmes një procedure me shumicë të cilësuar të kundërt.

Në dokument, Kina nuk përmendet drejtpërdrejt dhe mekanizmi nuk do të lidhej zyrtarisht me një shtet të caktuar. Megjithatë, propozimi vjen në një kohë kur BE-ja po përballet me shqetësime të mëdha për varësinë ekonomike dhe tregtare nga Kina.

Macron dhe Merz i kanë kërkuar gjithashtu Komisionit Europian që të përdorë më shpejt dhe në mënyrë më sistematike masat mbrojtëse tregtare që ka aktualisht në dispozicion.

Dy liderët kërkojnë edhe krijimin e një instrumenti të ri për diversifikimin e zinxhirëve të furnizimit, me synim uljen e varësisë së Europës nga Kina, si dhe trajtimin e çështjes së nënvlerësimit të monedhës kineze.