Komisioni Europian po ndjek nga afër situatën në Rusi pas raportimit të një rasti të murtajës, që dyshohet se lidhet me një incident të ndodhur në një laborator në rajonin e Irkutskut, në Siberi.
Një zëdhënëse e Komisionit tha se institucionet europiane janë në dijeni të incidentit dhe se ai duket se ka përfshirë një agjent patogjen të murtajës.
“Shëndeti publik është gjithmonë një prioritet për ne. Jemi në kontakt me ekspertët e Qendrës Europiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC) dhe po e monitorojmë shumë nga afër situatën”, tha ajo.
Komisioni Europian i ka bërë thirrje gjithashtu Rusisë që të sigurojë njoftim të shpejtë dhe transparent, si dhe të dhëna të besueshme epidemiologjike dhe laboratorike.
Sipas Komisionit, ky informacion është i rëndësishëm për bashkëpunimin mes vendeve, menaxhimin e çdo pasoje që mund të kalojë kufijtë dhe ruajtjen e besimit të publikut në masat shëndetësore.



