Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, i është përgjigjur menjëherë propozimit të kryeministrit Albin Kurti, duke hedhur poshtë çdo mundësi që Ligji për Dhomat e Specializuara të kthehet në monedhë shkëmbimi për postin e presidentit. Në një konferencë për media të mbajtur fill pas deklaratave të shefit të qeverisë, Hamza e ka denoncuar publikisht nismën e Kurtit si një pazar të minutës së fundit dhe një akt shantazhi të hapur politik.
Kreu i PDK-së theksoi se çështja e Dhomave të Specializuara tejkalon interesat e ngushta partiake dhe nuk guxon të degradohet në llogari votash brenda një seance parlamentare.
“Kjo temë po tentohet me u shndërru në pazare të minutave të fundit. E kam thënë edhe po e ripërsëris, çështja e Ligjit të Dhomave të Specializuara nuk është temë që i takon vetëm PDK-së”, deklaroi Hamza para gazetarëve.
Duke arsyetuar refuzimin e tij të prerë, lideri i opozitës u shpreh se ky projektligj prek drejtpërdrejt themelet dhe vlerat më të ndjeshme të shtetit të Kosovës, prandaj nuk mund të jetë pronë e asnjë subjekti të vetëm:
“Po flasim për historinë, të tashmen, të ardhmen e vendit tonë. Po flasim për luftën e drejtë, për viktimat që janë të Kosovës. UÇK ka pjesëtarë në të gjitha partitë politike”, nënvizoi ai, duke kujtuar se lufta e UÇK-së dhe viktimat e vendit nuk mund të përdoren si mjet kompromisesh të çastit.
Sipas Hamzës, prapa ofertës së kryeministrit nuk qëndron vullneti i sinqertë për drejtësi, por një kalkulim i pastër për të shfrytëzuar një temë madhore kombëtare me qëllim që të realizohen synimet politike të Lëvizjes Vetëvendosje.
“Qëllimi i kësaj teme është si ta përdor ligjin thjesht, direkt, për shantazh për me mbërri qëllimin politik. Cili është qëllimi politik, që me pasë një president politik dhe me përmbyll kapjen e institucioneve të shtetit”, theksoi kreu i PDK-së.



