“SAKRIFICA” – Filmi që rikthen në kujtesë luftën dhe sakrificën e popullit shqiptar të Kosovës

Pas gati tri dekadash nga lufta e fundit në Kosovë, kujtesa historike e asaj periudhe duhet të përcillet te çdo gjeneratë. Ishte e domosdoshme që institucionet shtetërore të ndërmerrnin hapa konkretë për realizimin e një filmi të mirëfilltë artistik, që do t’u tregonte brezave të rinj, veçanërisht atyre të lindur pas vitit 1999, se çfarë ndodhi realisht në Kosovë dhe çfarë sakrifice u bë për lirinë.

Fatkeqësisht, një projekt i tillë nuk u realizua me iniciativën e institucioneve shtetërore. Megjithatë, këtë boshllëk vendosi ta mbushë regjisori shqiptar Halil Budakova, i cili mori iniciativën për të hartuar skenarin dhe për të realizuar një film kushtuar luftës së fundit në Kosovë.

Në këtë projekt u bashkuan shumë artistë nga të gjitha trojet shqiptare, si dhe bashkatdhetarë nga diaspora, të cilët kontribuuan me përkushtim që ky projekt të bëhej realitet. Përkundër vështirësive të shumta, angazhimit të madh dhe sfidave gjatë realizimit, falë këmbënguljes së regjisorit, artistëve dhe mbështetjes së shoqërisë, u arrit që filmi të përfundojë.

Filmi mban titullin “SAKRIFICA”, një emër që nuk është zgjedhur rastësisht. Ai simbolizon sakrificën e mijëra shqiptarëve, vuajtjet, qëndresën dhe çmimin e rëndë që u pagua për lirinë e Kosovës.

Ky film nuk synon të jetë vetëm një vepër artistike, por edhe një dëshmi për kujtesën historike, një mesazh për brezat e rinj dhe një përkujtim për të gjithë ata që sakrifikuan për lirinë që gëzojmë sot.

Premiera e filmit “SAKRIFICA” do të mbahet më 10 nëntor 2026 në Prishtinë. Pas premierës, filmi pritet të shfaqet në kinematë e Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë, si dhe në vendet e diasporës shqiptare, përfshirë Zvicrën, Gjermaninë dhe shtete të tjera të Evropës Perëndimore.

Sepse një popull që harron historinë e tij rrezikon të humbasë kujtesën për rrugën që ka bërë. “SAKRIFICA” vjen për të na kujtuar se liria e Kosovës nuk ishte dhuratë, por rezultat i një sakrifice të madhe.