Kinematografia shqiptare pasurohet me një tjetër produksion filmik. Filmi “SAKRIFICA”, me regji dhe realizim nga Halil Budakova dhe Merita Budakova, do të promovohet më 11 nëntor në Cineplexx Prishtinë.
I realizuar nga ekipi i produksionit BOHEM STREAMING, filmi vjen me një atmosferë dramatike, skena aksioni dhe një histori që në qendër vendos guximin, përballjen dhe sakrificën.
Posteri zyrtar i filmit paralajmëron një produksion me skena të fuqishme, personazhe të lidhura me historinë e luftës dhe një atmosferë që synon të përcjellë emocionet e një periudhe të vështirë.
Në këtë projekt janë përfshirë një numër i madh aktorësh dhe bashkëpunëtorësh, ndërsa në mesin e emrave të kastit janë Halil Budakova, Arben Haliti, Adem Kica, Pal Daka, Angelo Bero, Jakup Muja,Avdi Ramushi dhe shumë të tjerë.
Më 11 nëntor, publiku në Prishtinë do të ketë mundësinë ta përjetojë “SAKRIFICËN” në ekranin e madh të Cineplexx-it.
Një produksion që synon të sjellë në vëmendje një temë me peshë të veçantë: sakrificën, guximin dhe qëndresën./Faktiditor.info/



