Dramë në autostradën Shkup–Veles, në afërsi të kryqëzimit të Hipodromit. Një 21-vjeçar nga Kavadari pretendon se është sulmuar fizikisht dhe kërcënuar nga dy persona, pasi një automjet ia kishte bllokuar rrugën.
Një incident shqetësues është raportuar në autostradën Shkup–Veles, ku një i ri 21-vjeçar nga Kavadari ka denoncuar se është sulmuar fizikisht dhe kërcënuar nga persona të panjohur.
Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme, D.B. e ka paraqitur rastin më 2 nëntor, rreth orës 21:50, në Shërbimin e Sigurisë Publike në Shkup.
Sipas dëshmisë së tij, një automjet i tipit “Audi” ia ka bllokuar rrugën në afërsi të kryqëzimit të Hipodromit. Nga automjeti kanë dalë dy persona, ndërsa njëri prej tyre e ka sulmuar fizikisht, duke e goditur dy herë dhe duke e kërcënuar me fjalët: “Do të të fusim në bagazh!”
Por, sipas raportimit të televizionit Kanal 5, rasti ka edhe një prapavijë tjetër. I riu është djali i një ish-shefi të Qendrës Rajonale “Jug”, ndërsa gjatë incidentit sulmuesit dyshohet se i kanë përcjellë edhe një mesazh: “Ke një përshëndetje nga J.K.”.
Ky person, sipas pretendimeve të viktimës, ishte ndaluar më herët nga babai i tij nën dyshimin për përfshirje në kontrabandë me migrantë.
Megjithatë, këto pretendime dhe lidhja e mundshme e personave të përmendur me incidentin nuk janë konfirmuar zyrtarisht nga autoritetet.
Policia ka konfirmuar se rasti është raportuar dhe se po ndërmerren masa për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe identifikimin e personave të përfshirë.
Ngjarja ka ngritur pikëpyetje për sigurinë në autostradë, por edhe për mundësinë që incidenti të ketë lidhje me konflikte apo hakmarrje të mundshme nga e kaluara.
Hetimet pritet të sqarojnë motivet e sulmit dhe nëse kërcënimi i përcjellë përmes emrit të J.K. ka ndonjë bazë konkrete.
Bie fasada me tulla e një ndërtese, rrezikohen jeta e banorëve dhe kalimtarëve!



