Presidenti francez Emmanuel Macron i ka dërguar një letër urimi Justina Shiroka Pulës me rastin e marrjes së detyrës së presidentes së Kosovës, duke vënë theksin te dialogu me Serbinë dhe perspektiva evropiane e Kosovës.
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka uruar Justina Shiroka Pulën me rastin e marrjes së detyrës së presidentes së Kosovës, duke shprehur pritshmëri për vazhdimin e proceseve që lidhen me integrimin evropian të vendit.
Në letrën e urimit, Macron ka shprehur shpresën se zgjedhja e presidentes së re do të kontribuojë në rifillimin e përparimit në fushat që ndikojnë në perspektivën evropiane të Kosovës.
Kreu i shtetit francez ka rikujtuar edhe takimin me kryeministrin Albin Kurti, të zhvilluar në Paris gjatë muajit mars, si dhe partneritetin historik ndërmjet Francës dhe Kosovës.

Ai ka përshëndetur gjithashtu marrëveshjet e reja ndërmjet dy vendeve, të nënshkruara gjatë vizitës së ministrit të deleguar francez për Evropën në Kosovë, në muajin korrik.
Megjithatë, një nga mesazhet kryesore të letrës së Macronit lidhet me normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Presidenti francez ka riafirmuar mbështetjen e Parisit për dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, duke theksuar rëndësinë e përparimit në këtë proces.
Urimi dhe mesazhet e presidentit francez janë bërë të ditura përmes një njoftimi të Presidencës së Kosovës.



