Fëmijët në shkollat e Prishtinës pa ngrohje, përplasje mes Komunës dhe Qeverisë

Disa shkolla dhe çerdhe në kryeqytetin e Kosovës kanë mbetur pa ngrohje, pikërisht në kohën kur temperaturat kanë filluar të bien. Drejtori i Arsimit, Arianit Elshani, fajëson bllokimin e mjeteve buxhetore nga Ministria e Financave dhe ndërprerjen e punimeve nga operatori ekonomik.

Mungesa e ngrohjes në disa institucione arsimore në Prishtinë ka ngritur shqetësimin e prindërve, pasi nxënësit po detyrohen të vijojnë mësimin në kushte jo të përshtatshme për stinën e ftohtë.

Në mesin e shkollave që po përballen me këtë problem janë edhe “Iliria” dhe “Faik Konica”, ku prindërit kanë shprehur pakënaqësitë e tyre për mungesën e ngrohjes. Sipas tyre, në disa raste u është kërkuar që fëmijët t’i veshin me më shumë rroba, ndërsa mësimi është zhvilluar edhe me orar të shkurtuar.

Për këtë situatë ka reaguar drejtori i Arsimit në Komunën e Prishtinës, Arianit Elshani, i cili përgjegjësinë për mosfunksionalizimin e sistemeve të ngrohjes ia ka atribuuar bllokimit të mjeteve buxhetore dhe ndërprerjes së punimeve nga operatori ekonomik.

“Pavarësisht kërkesave tona të vazhdueshme për përfundimin e punimeve dhe funksionalizimin e ngrohjes në shkollat tona, bllokada e qeverisë ndaj Drejtorisë së Arsimit dhe Komunës së Prishtinës po vazhdon”, ka shkruar Elshani në Facebook.

Sipas tij, bllokimi i mjeteve buxhetore nga Ministria e Financave, në kombinim me ndërprerjen e punimeve nga operatori ekonomik, ka bërë që sistemet e ngrohjes në disa institucione arsimore të mbeten jashtë funksionit.

Elshani i ka bërë thirrje Qeverisë që të zhbllokojë menjëherë mjetet buxhetore, ndërsa operatorit ekonomik i ka kërkuar të marrë përgjegjësinë dhe të përfundojë punimet.

“Betejat politike, mosmarrëveshjet financiare dhe procedurat administrative nuk mund të jenë më të rëndësishme se mbarëvajtja e procesit mësimor, shëndeti dhe mirëqenia e fëmijëve tanë”, ka theksuar ai.

Ndërkohë, lidhur me këtë çështje, KosovaPress ka dërguar pyetje në Ministrinë e Financave, por deri në momentin e publikimit të lajmit nuk ka marrë përgjigje.

As drejtori i Arsimit, Arianit Elshani, nuk ka qenë i qasshëm për të dhënë sqarime shtesë.

Mbetet të shihet se kur do të zgjidhet kjo situatë dhe kur nxënësit e këtyre shkollave do të kenë kushte normale për zhvillimin e procesit mësimor.

Rama pas raportit të Progresit: Shqipëria vlerësohet më lart se kurrë, dera e BE-së është e hapur!