Rama pas raportit të Progresit: Shqipëria vlerësohet më lart se kurrë, dera e BE-së është e hapur!

Kryeministri Edi Rama e ka cilësuar raportin e ri të Komisionit Evropian si një moment krenarie për Shqipërinë, duke deklaruar se mundësia e anëtarësimit në Bashkimin Evropian është më reale se kurrë.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar pas publikimit të Raportit Vjetor të Progresit nga Komisioni Evropian, duke e konsideruar vlerësimin e këtij viti si më të lartin që ka marrë vendi deri më tani.

Përmes një reagimi në platformën X, Rama e cilësoi këtë zhvillim si një tjetër moment krenarie për Shqipërinë dhe një hap të rëndësishëm drejt objektivit historik të anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

“Shqipëria vlerësohet më lart se asnjëherë më parë. Një tjetër moment krenarie për Shqipërinë Evropiane. Një tjetër dëftesë notash domethënëse dhe inkurajuese nga Komisioni Evropian”, shkroi Rama.

Megjithatë, kreu i qeverisë shqiptare pranoi se vendi ka ende shumë detyra përpara, ndërsa afatet e përcaktuara për negociatat e anëtarësimit po bëhen gjithnjë e më të ngushta.

Ai theksoi se vlerësimi pozitiv i raportit nuk duhet të lërë në hije problemet e përditshme me të cilat përballen qytetarët shqiptarë, duke shtuar se ato do të vazhdojnë të jenë në vëmendjen e qeverisë.

Sipas Ramës, raporti i Komisionit Evropian duhet të shërbejë si motivim për të bërë më shumë dhe për të përmirësuar më tej punën e institucioneve.

Në fund të reagimit, kryeministri u shpreh optimist për perspektivën evropiane të Shqipërisë, duke deklaruar se momenti është i favorshëm dhe se mundësia e anëtarësimit është më konkrete se kurrë.

“Momenti është optimal. Dera e BE-së është e hapur dhe mundësia e hyrjes është më reale se kurrë”, përfundoi Rama.

Urimi i Macronit për Shiroka Pulën, Franca kërkon përparim në dialogun Kosovë–Serbi