Gjysmë shekulli nga themelimi i Komunës së Gazi Babës, banorët e Hasanbegut ankohen se premtimet e kryetarit Boban Stefkovski kanë mbetur vetëm në letër.
Ndërsa Komuna e Gazi Babës shënon 50-vjetorin e themelimit, në disa lagje të saj qytetarët vazhdojnë të përballen me probleme elementare infrastrukturore, të cilat, sipas tyre, presin zgjidhje prej vitesh.
Banorët e Hasanbegut shprehin pakënaqësi për premtimet e parealizuara të kryetarit të komunës, Boban Stefkovski, të dhëna gjatë fushatës zgjedhore. Ndër çështjet kryesore që presin zgjidhje janë rregullimi i kanalit, asfaltimi i rrugëve dhe rrugicave, si dhe sigurimi i ujit të pijshëm cilësor.
Një ndër problemet më shqetësuese mbetet gjendja e rrjetit të ujësjellësit. Banorët per faktiditor.info thonë se gypat e vjetër dhe të ndryshkur ngrenë shqetësime serioze për cilësinë dhe sigurinë e ujit që përdorin çdo ditë.
Problem i veçantë është edhe rruga M. Andonov Cento, ku banorët, veçanërisht fëmijët, e kanë shumë të vështirë të dalin në rrugën kryesore. Gjatë reshjeve të shiut, në këtë rrugë grumbullohen sasi të mëdha uji, duke e bërë pothuajse të pakalueshme.
Bëhet fjalë për një segment prej vetëm rreth 180 metrash, i cili, sipas banorëve, nuk është asfaltuar dhe nuk ka as kubëza betoni. Madje, disa nga rrugët e tjera në lagje janë rregulluar me iniciativën dhe shpenzimet e vetë banorëve.
“Imagjinoni, rruga që duhet të rregullohet është vetëm rreth 180 metra. Nuk ka as asfalt dhe as bekaton. Kur bie shi, krijohen pellgje të mëdha dhe kalimi bëhet pothuajse i pamundur. Jemi të detyruar t’i dërgojmë fëmijët me vetura në shkollë, sepse nuk kanë kushte normale për të kaluar në këmbë”, shprehet një banor i lagjes.
Banorët ngrenë pikëpyetje edhe për mënyrën se si përcaktohen prioritetet e investimeve komunale. Ata përmendin lagjen e njohur si “Tri Kuqi”, ku një rrugë është riasfaltuar, ndonëse, sipas tyre, nuk kishte probleme të ngjashme me ato që vazhdojnë të përballen banorët e Hasanbegut.
Pavarësisht pakënaqësive, banorët theksojnë se e vlerësojnë mirënjohjen e shoqatës, por kërkojnë që vëmendja ndaj komunitetit të mos mbetet vetëm në ceremoni dhe fjalë simbolike.
“Ne jemi mirënjohës për mirënjohjen e shoqatës, por duam të jetojmë si të gjithë qytetarët e tjerë. Nuk mund të vazhdojmë të jetojmë me rrugë të paasfaltuara, baltë dhe probleme me ujin e pijshëm”, shprehet një banor.
Në 50-vjetorin e Komunës së Gazi Babës, banorët e Hasanbegut kërkojnë më pak premtime dhe më shumë punë konkrete. Sepse zhvillimi i një komune nuk matet vetëm me përvjetorë dhe manifestime, por me kushtet në të cilat jetojnë qytetarët e saj.
“Hasanbegu nuk kërkon privilegje, por kushte normale jetese – rrugë të kalueshme, ujë të sigurt për pije dhe investime të barabarta, ashtu siç u takon të gjithë qytetarëve të Komunës së Gazi Babës.”


