Komisioni Evropian, në Raportin më të fundit të progresit për Maqedoninë e Veriut, konstaton se vendi shënon disa rezultate pozitive në zbatimin e Agjendës së Reformave dhe Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, por se procesi i integrimit europian mbetet i bllokuar për shkak të mosmiratimit të ndryshimeve kushtetuese.
Në dokument theksohet se korrupsioni mbetet i përhapur gjerësisht dhe se lufta kundër tij nuk shënon progres. Veçanërisht shqetësuese janë rastet e korrupsionit të nivelit të lartë, të cilat shpesh vonohen dhe preskribuhen, duke krijuar përshtypjen e mosndëshkueshmërisë. Rezultate të kufizuara vërehen edhe në sistemin e drejtësisë, ndërsa polarizimi politik ngadalëson miratimin e ligjeve të rëndësishme reformuese.
Brukseli kërkon përsëri zbatimin e marrëveshjeve me Greqinë dhe Bullgarinë, duke nënvizuar se marrëdhëniet e mira fqinjësore mbeten pjesë e rëndësishme e procesit të anëtarësimit. Në raport thuhet gjithashtu se komisioni historik me Bullgarinë ka mbajtur katër takime, por pa rezultate konkrete.
Vendi merr vlerësime pozitive për zbatimin e një pjese të detyrimeve reformuese, zgjerimin e shërbimeve elektronike dhe përputhjen e plotë me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të BE-së.
Komisionerja evropiane për zgjerimin, Marta Kos, gjatë prezantimit të Paketës së Zgjerimit për vitin 2026, theksoi se kushtet për progres janë të qarta dhe se Maqedonia duhet të përmbushë detyrimet e marra për ndryshimet kushtetuese.
Në Parlamentin Evropian u hap edhe një debat për ndikimin e mosmarrëveshjeve dypalëshe mbi procesin e zgjerimit. Raportuesi për Maqedoninë, Thomas Waitz, kërkoi angazhim më të madh diplomatik nga Komisioni Evropian për të kapërcyer mosmarrëveshjen me Bullgarinë, ndërsa eurodeputetët bullgarë insistuan se marrëdhëniet e mira fqinjësore janë pjesë përbërëse e kritereve të anëtarësimit.
Sipas vlerësimit të Kos, Maqedonia është në grupin e vendeve ku procesi i anëtarësimit shënon ngecje, së bashku me Bosnjën dhe Hercegovinën dhe Kosovën. Si katër vendet me progresin më të madh janë veçuar Mali i Zi, Shqipëria, Ukraina dhe Molldavia.



