Tragjedi në brigjet e Senegalit, mbytet varka me emigrantë: Të paktën 34 të vdekur

Të paktën 34 persona kanë humbur jetën pasi një varkë me emigrantë është mbytur në brigjet e Senegalit, ndërsa disa të tjerë rezultojnë të zhdukur. Lajmi është bërë i ditur nga Agjencia Senegaleze e Shtypit (APS), e cila citon burime zyrtare.

Sipas Ministrisë së Brendshme të Senegalit, deri më tani është arritur të shpëtohet vetëm një person, ndërsa ende nuk dihet numri i saktë i personave që rezultojnë të zhdukur.

Varka prej druri u përmbys në zonën detare mes kryeqytetit Dakar dhe qytetit Saint-Louis, teksa ishte nisur drejt Ishujve Kanarie të Spanjës, një nga rrugët më të rrezikshme që përdorin emigrantët për të hyrë në Evropë.

Saliou Diouf, themelues i organizatës senegaleze Boza Fii, që ndihmon emigrantët, deklaroi për agjencinë AFP se të gjithë trupat e gjetur deri më tani janë të shtetasve senegalezë. Ndërkohë, vijojnë kërkimet për personat e tjerë që ndodheshin në varkë.

Pas ngjarjes, presidenti i Senegalit, Bassirou Diomaye Faye, u shprehu ngushëllimet familjeve të viktimave dhe u bëri thirrje qytetarëve që të mos rrezikojnë jetën në udhëtime të tilla detare. Ai premtoi gjithashtu se autoritetet do të shtojnë përpjekjet për të goditur rrjetet që organizojnë udhëtimet e paligjshme drejt Evropës.

Rreziku i kësaj rruge migratore është konfirmuar edhe nga shifrat e organizatës spanjolle Walking Borders. Sipas saj, 635 persona kanë humbur jetën në përpjekje për të arritur në Ishujt Kanarie përmes Atlantikut vetëm gjatë periudhës janar-maj 2026.

Ndërkohë, autoritetet senegaleze kanë ndaluar edhe një tjetër varkë, të premten, me 142 emigrantë në bord, të cilët po përpiqeshin të udhëtonin drejt Spanjës. Mes tyre ishin 23 gra, dy foshnja dhe dy fëmijë të tjerë. Emigrantët vinin nga Senegali, Gambia, Guinea-Bissau, Guinea dhe Nigeria.

Situata e emigracionit mbetet shqetësuese edhe në Ishujt Kanarie. Në ishullin El Hierro është shpallur gjendja e jashtëzakonshme pas mbërritjes së më shumë se 3 mijë e 300 emigrantëve me rreth 30 varka që prej fillimit të nëntorit.

Mungesa e vendeve të punës, vështirësitë ekonomike dhe dëshira për një jetë më të mirë janë disa nga arsyet që i shtyjnë shumë të rinj senegalezë të largohen nga vendi i tyre. Sipas të dhënave zyrtare, gati një në katër të rinj në Senegal ishte i papunë gjatë tremujorit të dytë të vitit 2026.

Pavarësisht rrezikut të madh, shumë prej tyre vazhdojnë të tentojnë kalimin e Atlantikut me varka të vogla dhe shpesh të mbipopulluara, duke shpresuar të arrijnë në Evropë.

Ministria e Brendshme e Senegalit ka bërë të ditur se do të vijojë luftën kundër rrjeteve të trafikimit të emigrantëve, duke forcuar edhe bashkëpunimin me vendet fqinje.