Chris Brown përballet me kërkesën për 30 mijë dollarë në muaj, nëna e vajzës kërkon qasje në financat e tij

Diamond Brown, nëna e vajzës së Chris Brown, Lovely, po kërkon të ketë qasje në dokumentet financiare të këngëtarit, në mënyrë që të përcaktohet më saktë se sa duhet të paguajë ai për mbështetjen financiare të vajzës së tyre.

Sipas dokumenteve gjyqësore të siguruara nga TMZ-ja, Diamond pretendon se prej muajsh po has pengesa nga menaxherët financiarë të Chris Brown, pasi ata kanë kundërshtuar kërkesën e saj për të dorëzuar dokumentet mbi të ardhurat dhe financat e këngëtarit, transmeton Indeksonline.

Diamond pretendon se Chris Brown ka një pasuri të vlerësuar rreth 50 milionë dollarë, por aktualisht i paguan asaj rreth 7 mijë dollarë në muaj për vajzën e tyre. Sipas saj, kjo shumë nuk është e mjaftueshme dhe ajo kërkon që alimentacioni të rritet në të paktën 30 mijë dollarë në muaj.

Ajo ka deklaruar gjithashtu se e ka të vështirë të përcaktojë të ardhurat e vërteta të këngëtarit pa pasur qasje në dokumentet e tij financiare. Diamond ka pretenduar se aktualisht ka vetëm 10 mijë dollarë në emrin e saj dhe se dëshiron që mbështetja financiare të reflektojë mundësitë ekonomike të Chris.

Ndërkohë, siç raporton TMZ-ja, dy nënat e tjera të fëmijëve të Chris Brown kanë reaguar publikisht ndaj kërkesës së Diamond, duke e kritikuar atë dhe duke pretenduar se këngëtari është një baba i përkushtuar, i cili kujdeset financiarisht për fëmijët e tij.