Anëtarësimi në BE, Moldavia në rradhë pas Malit të Zi dhe Shqipërisë

Komisionerja Marta Kos e ka pozicionuar Modavinë në një rrugë me shtetet pararojë Malin e Zi dhe Shqipërinë për tu anëtarësuar në BE.

Nga Kishiniua Kos e vuri theksin tek gjykatat e pavarura, lufta kundër korrupsionit dhe institucionet e forta demokratike.

“Gjykatat e pavarura, lufta kundër korrupsionit dhe institucionet e forta demokratike mbeten provat vendimtare të gatishmërisë për anëtarësim në BE. Nëse Moldavia ruan ritmin aktual të reformave, besojmë se mund të mbyllë deri në 25 kapituj negociatash brenda vitit 2027. Kjo do ta vendoste Moldavinë në të njëjtin pozicion ku ndodhet Mali i Zi sot. Dhe po flasim për faktin se Mali i Zi po u afrohet fundit të negociatave. Shtetet anëtare tashmë po përgatisin traktatin e anëtarësimit për Malin e Zi, çka do të thotë se, nëse arrini rezultate të mira, edhe ju do të jeni në këtë pozitë. Pra, nëse progresi i reformave vazhdon me këtë ritëm, kjo do t’ju vendoste në një rrugë të besueshme drejt përfundimit të negociatave të anëtarësimit në fillim të vitit 2028”, tha Kos.

Moldavia synon që të mbyllë negociatat e anëtarësimit deri në fund të vitit 2028.

“Komisioni Evropian vlerëson ritmin e reformave tona dhe objektivin për të përmbyllur negociatat e anëtarësimit deri në fund të vitit 2028, ndonëse mbetet një objektiv mjaft realist tejet ambicioz. Jo të gjitha vendimet lidhur me zgjerimin varen ekskluzivisht nga ne, por ka diçka që varet nga secili prej nesh. Çfarë lloj vendi duam të ndërtojmë në shtëpinë tonë? Ne duam një vend ku respektohet sundimi i ligjit, ku njerëzit mund të jetojnë dhe të punojnë të sigurtë”, tha presidentja e Moldavisë, Maia Sandu.

Optimizëm ka shprehur edhe zv.Ministrja qipriote Marilena Raouna.

“Nuk ka rrugë të shkurtra për punën që duhet të kryhet nga cdo shtet kandidat. Nuk ka rrugë të shkurtra për arritjen e konsensusit dhe ndërtimin e urave që duhet të ndodhin brenda Këshillit Evropian. Ne e kemi respektuar plotësisht këtë parim për secilin shtet anëtar. Dhe duke parë nga e ardhmja, mendoj se kjo është fryma që duhet të udhëheqë punën intensive nga të gjithë. Zgjerimi, në këtë moment, është pa dyshim një domosdoshmëri gjeopolitike për Bashkimin Evropian dhe nuk është thjesht një investim për vendet kandidate. Zgjerimi është një investim për sigurinë dhe prosperitetin e Bashkimit Evropian”, tha Zv.Ministrja për çështjet Evropiane e Qipros, Marilena Raouna.

Këto zhvillime vijnë në një ditë kur Moldavia vuri zyrtarisht në punë një linjë të re energjetike që e lidh vendin me Rumaninë fqinje dhe me rrjetin evropian, me qëllim uljen e varësisë nga energjia ruse.