Shekulli XXI po dëshmon një rikonfigurim të thellë të hartës botërore, ku lufta për territore tradicionale po zëvendësohet gjithnjë e më shumë nga lufta për flukse: flukse të energjisë, të të dhënave dhe të mallrave. Pas krizave të fundit globale dhe rënies së arkitekturës së vjetër të sigurisë në Evropë, energjia ka pushuar së qeni një mall i thjeshtë tregtar, duke u shndërruar në boshtin kryesor mbi të cilin ndërtohen aleancat gjeopolitike. Në këtë vorbull ndryshimesh, Ballkani Perëndimor, dhe në veçanti Maqedonia e Veriut, gjendet përballë një momenti përcaktues. Kalimi nga një periferi e izoluar energjetike në një nyjë tranziti rajonale nuk është thjesht një çështje tubacionesh dhe telash të tensionit të lartë, por mbart një domethënie të thellë gjeopolitike dhe filozofike mbi sovranitetin, lirinë dhe raportin e njeriut modern me pushtetin dhe natyrën.
Për dekada me radhë, Ballkani ka funksionuar si një “qorrsokak” energjetik, i varur nga burime të kufizuara dhe linja furnizimi të trashëguara nga e kaluara. Megjithatë, arkitektura e re e sigurisë evropiane po vizaton boshte të reja në drejtimin Jug–Veri dhe Lindje–Perëndim. Maqedonia e Veriut, falë pozitës së saj gjeografike në zemër të gadishullit, po shndërrohet nga një konsumator fundor në një urë lidhëse strategjike.
Një nga zhvillimet më domethënëse në këtë drejtim është përfshirja e Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë në nismën e Korridorit Vertikal të Gazit, një rrjet i ndërlidhur që synon të transportojë gazin natyror të lëngshëm (LNG) nga terminalet e Greqisë (si Aleksandroupoli) drejt Evropës Qendrore dhe Lindore. Paralelisht, ndërtimi i interkonektorit të gazit me Greqinë dhe projektet për lidhjen me Serbinë synojnë t’i japin fund monopolit historik të një rruge të vetme furnizimi. Në të njëjtën kohë, në boshtin Lindje–Perëndim, vendi po forcon rolin e tij si nyjë transiti e energjisë elektrike përmes interkonektorëve të rinj me Shqipërinë, duke lidhur tregjet e Detit të Zi me ato të Adriatikut dhe Evropës Perëndimore. Kësaj tabloje i shtohet edhe tranzicioni i brendshëm i sanksionuar në Planin e Integruar Kombëtar për Energjinë dhe Klimën 2025–2030, i cili synon braktisjen graduale të qymyrit dhe investime masive në energjinë diellore, të erës dhe sistemet e ruajtjes së energjisë.
Në rrafshin gjeopolitikcfare sinjifikojne keto korridore
Në rrafshin gjeopolitik, këto korridore janë shprehje konkrete e asaj që teoricienët e marrëdhënieve ndërkombëtare e quajnë “gjeopolitika e ndërlidhjes” (connectivity geopolitics). Për një shtet të vogël dhe pa dalje në det si Maqedonia e Veriut, gjeografia shpesh është parë si një kufizim. Por në epokën e rrjeteve, vlera e një territori nuk matet më me madhësinë e tij, por me numrin e lidhjeve që kalojnë përmes tij. Duke u bërë pjesë e boshteve energjetike euroatlantike, Shkupi nuk siguron vetëm diversifikim të burimeve për qytetarët dhe ekonominë e vet, por fiton edhe një “siguracion gjeopolitik”. Kur infrastruktura kritike e një rajoni të tërë varet nga stabiliteti i një nyjeje tranziti, siguria e atij vendi bëhet interes i drejtpërdrejtë i fuqi-bërësve më të mëdhenj. Kështu, energjia shndërrohet në gjuhën e vërtetë të integrimit evropian, shpesh më të shpejtë dhe më pragmatike sesa vetë proceset burokratike politike.
Përtej tabelave ekonomike dhe hartave strategjike, pyetja se çfarë sinjifikojnë filozofikisht këto boshte të reja na çon në thelbin e ekzistencës politike dhe njerëzore.
Në filozofinë politike klasike, nga Tomas Hobsi te Karl Shmiti, sovraniteti konceptohej si pushteti absolut mbi një territor të mbyllur dhe të vetë-mjaftueshëm. Boshtet e reja energjetike e shpërbëjnë këtë mit. Ato dëshmojnë se në botën moderne, sovraniteti nuk është më “mbyllje” dhe autarki, por aftësi për të menaxhuar ndërvarësinë. Të jesh i lirë sot nuk do të thotë të jesh i shkëputur nga të tjerët, por të kesh mundësi zgjedhjeje brenda një rrjeti të gjerë. Për Maqedoninë, dalja nga varësia prej një burimi të vetëm është një akt emancipimi filozofik: kalimi nga fatalizmi i domosdoshmërisë te liria e alternativës.
Filozofët bashkëkohorë si Manuel Kastels dhe Pol Virilio kanë vërejtur se moderniteti i vonë e ka zhvendosur pushtetin nga “hapësira e vendeve” te “hapësira e flukseve”. Tubacionet e gazit dhe linjat e tensionit të lartë janë arteriet fizike të këtij realiteti të ri. Një vend që shndërrohet në korridor nuk është më thjesht një pikë statike në hartë, por një hapësirë dinamike ku lëvizja krijon kuptim. Kjo kërkon një mentalitet të ri politik: jo më psikologjinë e “kështjellës së rrethuar” që mbron kufijtë, por filozofinë e “urës” që mundëson kalimin dhe shkëmbimin.
Së fundmi, kalimi nga lëndët fosile (qymyri i Bitolës dhe Osllomejit) drejt energjisë diellore dhe të erës mbart një kthesë të thellë etike. Në mitologji, Prometeu i vodhi zjarrin perëndive për t’ia dhënë njeriut, duke inauguruar epokën e teknologjisë dhe shfrytëzimit të natyrës. Për shekuj, përparimi u mat me sasinë e karbonit të djegur, me dhunën e ushtruar ndaj tokës. Boshtet e reja të gjelbra sinjifikojnë fundin e këtij modeli grabitqar dhe lindjen e një “kontrate të re natyrore”, ku njeriu nuk e sheh më natyrën si depo të pashtershme lëndësh djegëse, por si një partner në ekuilibër, ku energjia merret nga drita dhe era pa e shkatërruar shtëpinë e përbashkët


