Në kuadër të aktiviteteve për 22 Nëntorin, Ditën e Alfabetit të Gjuhës Shqipe, Manastiri sonte do të mirëpresë një mbrëmje të veçantë artistike, ku do të prezantohen tri ansamble shqiptare nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.
Sipas Ministrisë së Kulturës, pjesë e këtij aktiviteti do të jenë Ansambli Kombëtar “Shota” nga Kosova, Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve Popullore të Shqipërisë dhe Ansambli i Këngëve dhe Valleve Shqiptare të Maqedonisë së Veriut, përcjell TS
Publiku do të ketë mundësinë të shijojë një program të pasur me këngë, valle dhe motive tradicionale shqiptare, që pasqyrojnë kulturën dhe trashëgiminë tonë kombëtare.
Përmes këtij aktiviteti synohet të përcillet mesazhi i unitetit kulturor dhe i ruajtjes së gjuhës, traditave dhe identitetit shqiptar.
Manastiri, vendi ku 118 vjet më parë u hodhën themelet e alfabetit të njësuar shqip, sonte do të jetë sërish pikëtakim i kulturës dhe traditës shqiptare./TS/


