Shembja e ndërtesës në Kiev pas sulmit rus me dronë, shkon në 11 numri i viktimave, shpëtohet mrekullisht pas 14 orësh nën gërmadha një i mitur

Një djalë 7-vjeçar u nxor i gjallë nga rrënojat e një pallati në zonën e Kievit, pasi qëndroi i bllokuar për 14 orë pas sulmeve ajrore ruse në orët e para të së dielës.

Sipas autoriteteve ukrainase, të paktën 15 persona u vranë në tre sulme të ndara në zonën më të gjerë të kryeqytetit ukrainas, ndërsa dhjetëra të tjerë u plagosën.

Operacioni i shpëtimit për djalin 7-vjeçar u zhvillua në fshatin Dimer, ku një sulm rus shkatërroi një pjesë të një ndërtese banimi, duke vrarë 11 persona. Fëmija u gjet i gjallë nën rrënoja dhe u dërgua në spital, me gjendjen e tij të përshkruar si të qëndrueshme.

Shpëtimi i tij u konfirmua nga Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky dhe policia ukrainase, me autoritetet që falënderuan ata që morën pjesë në operacion.

Një grua 79-vjeçare u nxor gjithashtu e gjallë nga rrënojat e së njëjtës ndërtesë dhe është shtruar në spital, njoftoi kreu i administratës rajonale të Kievit, Timur Tkachenko, nëpërmjet Telegram.

Zelensky tha se më shumë se 130 persona po marrin pjesë në operacionet e kërkim-shpëtimit në Dymer, të cilat do të vazhdojnë derisa të ketë një pamje të plotë të fatit të të gjithë banorëve.

Duke shprehur ngushëllimet e tij familjeve të viktimave, presidenti ukrainas tha se sulmi goditi ndërtesën banesore, duke shkatërruar pothuajse plotësisht një pjesë të saj.

Ai shtoi se puna e ekipeve të shpëtimit po pengohet nga paralajmërimet e vazhdueshme të reja për sulme ajrore dhe kërcënimi i sulmeve të tjera.