Horror në Shkup: Një grua me skallper në mes të rrugës tentoi të grabiste një djalë

Një 24-vjeçare nga Shkupi është thirrur në stacionin e policisë për bisedë, pas denoncimit se para më shumë se një muaji tentoi të grabiste një djalë 18-vjeçar, duke e kërcënuar me një objekt të mprehtë – skallper.

Sipas informacioneve nga Ministria e Punëve të Brendshme (MPB), ngjarja ka ndodhur më 15 tetor të këtij viti, ndërsa e dyshuara është thirrur më 21 nëntor në bisedë zyrtare në Stacionin Policor të Kisela Vodës.

Policia informon se 24-vjeçarja ka sqaruar mënyrën se si është kryer vepra.

Pas dokumentimit të plotë të rastit, Njësia e Punëve të Brendshme e Kisela Vodës do të paraqesë kallëzim penal kundër saj për “vjedhje me dhunë në tentativë”.