Franca në kaos, kush qëndron pas grupeve radikale që tronditin vendin?

Franca po përballet me një valë të fortë trazirash sociale dhe politike, ku protestat kundër rritjes së çmimeve, përkeqësimit të shërbimeve publike dhe dhunës policore janë shoqëruar me përplasje, plaçkitje dhe shkatërrime në disa qytete të vendit.

Protestat kanë hyrë në javën e gjashtë radhazi, ndërsa situata vijon të mbetet e tensionuar. Edhe pse rastet e dhunës nga protestuesit janë më të pakta krahasuar me muajin e kaluar, përplasjet me policinë nuk kanë munguar.

Presidenti francez Emmanuel Macron ka fajësuar për trazirat personat me precedentë kriminalë dhe grupet e ekstremit të majtë, të cilat, sipas tij, synojnë të destabilizojnë dhe të rrëzojnë Republikën Franceze. Por kjo deklaratë ka hapur një debat të madh mbi identitetin, organizimin dhe rrezikun që paraqesin këto grupe.

Në prag të zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare, situata është kthyer në një përplasje të fortë politike. E majta fajëson qeveritë e qendrës dhe të djathtës për krizën ekonomike dhe rritjen e kostos së jetesës, ndërsa kundërshtarët e saj akuzojnë grupet radikale për nxitjen e dhunës. Nga ana tjetër, e djathta nacionaliste premton rikthimin e rendit dhe sigurisë në rrugët franceze.

Në një investigim mbi këtë situatë, gazetarët kanë tentuar të kontaktojnë persona të përfshirë në lëvizjet radikale të së majtës. Shumë prej tyre kanë pranuar të flasin vetëm në kushte anonimiteti, duke mbuluar fytyrën nga frika e identifikimit nga policia.

Një prej grupeve më të përfolura është ai i njohur si “Black Bloc”, i përbërë nga persona që zakonisht vishen me të zeza dhe mbajnë maska gjatë protestave. Ata shfaqen shpesh në momentet kur demonstratat paqësore përfundojnë dhe situata përshkallëzohet në përplasje me policinë.

Sipas një 18-vjeçari të intervistuar nga gazetarët, pjesëmarrja në protesta lidhet kryesisht me pakënaqësinë ndaj kushteve të jetesës, mungesën e mundësive dhe problemet sociale në lagjet periferike të qyteteve franceze.

“Pa dhunë nuk arrin asgjë. Është e vetmja mënyrë për të bërë që zëri ynë të dëgjohet”, është shprehur ai, duke përmendur gjendjen e vështirë të shkollave, largimin e mësuesve dhe vështirësitë për të gjetur një punë të mirë.

Shumë prej të rinjve të përfshirë në trazira vijnë nga lagjet periferike, të njohura në Francë si “banlieues”, ku problemet ekonomike dhe sociale janë të pranishme prej vitesh. Ata mohojnë se janë organizuar nga partitë apo grupet politike dhe thonë se reagojnë për shkak të zemërimit ndaj sistemit.

Megjithatë, jo të gjithë pjesëmarrësit në grupet e veshura me të zeza kanë të njëjtat qëllime. Një 17-vjeçar, i identifikuar me pseudonimin Starflix, i cili pranoi të fliste me gazetarët me lejen e prindërve, tregoi se disa prej tyre synojnë ndryshimin e sistemit politik, ndërsa të tjerë shfrytëzojnë protestat për të kryer vjedhje dhe akte të tjera kriminale.

Sipas tij, “Black Bloc” nuk është një organizatë e vetme, por një mënyrë veprimi që përdoret nga persona të ndryshëm gjatë demonstratave. Ai pranoi gjithashtu se kishte frikë nga arrestimi dhe plagosja, por tha se më shumë e shqetësonte mundësia që shoqëria të mos ndryshonte.

Një rol të rëndësishëm në organizimin e protestave luajnë edhe rrjetet sociale. Disa aktivistë përdorin aplikacione si Signal dhe Telegram për të komunikuar dhe për t’u koordinuar me njëri-tjetrin. Në internet qarkullojnë gjithashtu këshilla për protestuesit se si të shmangin identifikimin gjatë demonstratave.

Ndërkohë, një aktivist me përvojë i lëvizjes “Black Bloc” ka mohuar pretendimet se grupet janë të organizuara për të rrëzuar Republikën Franceze. Sipas tij, njerëzit bashkohen në protesta nga zemërimi dhe pakënaqësia ndaj sistemit, ndërsa të njëjtat ndjenja po shfaqen edhe në vende të tjera evropiane.

Ai ka mohuar gjithashtu çdo lidhje mes dhunës dhe partisë së Jean-Luc Mélenchon, “Franca e Papërkulur” (LFI), duke pretenduar se kjo forcë politike dhe sindikatat përpiqen të qetësojnë protestat.

Trazirat nuk janë kufizuar vetëm në qytetet e mëdha. Në zonën e Limoges, një zjarr në ndërtesën historike të bashkisë gjatë protestave të muajit të kaluar ka shkaktuar dëme të mëdha. Një 34-vjeçar ndodhet nën hetim për ngjarjen, por ai mohon përfshirjen.

Në zonat rurale janë identifikuar gjithashtu aktivistë të së majtës radikale, të lidhur me lëvizjet ambientaliste dhe anarkiste. Një prej tyre, 39 vjeç, deklaroi se është aktivist prej më shumë se dy dekadash dhe se nuk mund të pranojë gjendjen në të cilën po jeton brezi i ri.

Ai kritikoi ashpër përdorimin e forcës nga shteti kundër protestuesve, duke thënë se padrejtësitë sociale dhe mungesa e perspektivës për të rinjtë e kanë shtyrë shoqërinë drejt një krize të thellë.

Pavarësisht deklaratave të forta të disa aktivistëve, ish-komisioneri i policisë franceze, Michel Klein, vlerëson se grupet radikale të së majtës nuk kanë kapacitetin e nevojshëm për të përbërë një kërcënim serioz për shtetin francez. Megjithatë, ai paralajmëron për rrezikun e përplasjeve mes grupeve të ekstremit të majtë dhe atyre të ekstremit të djathtë.

Në këtë klimë të tensionuar, në disa qytete kanë nisur të shfaqen edhe grupe të ekstremit të djathtë, të cilat pretendojnë se dalin në rrugë për të mbrojtur qytetarët dhe për të garantuar sigurinë.

Ndërsa vendi përgatitet për zgjedhjet e ardhshme, polarizimi politik dhe pakënaqësia sociale mbeten të larta. Kriza ekonomike, zemërimi i të rinjve, përplasjet me policinë dhe rritja e aktivitetit të grupeve radikale po krijojnë një situatë gjithnjë e më të vështirë për Francën.