Dramë në Shkup: Pacienti me kancer dyshohet se piu antifriz, më pas me të birin sulmuan mjekun dhe infermieren!

Një mjek dhe një infermiere të Ndihmës së Shpejtë janë sulmuar fizikisht nga një baba dhe djali i tij, pranë poliklinikës “Jane Sandanski” në Shkup.

Incidenti ka ndodhur më 21 nëntor, rreth orës 17:00, kur djali kishte kërkuar ndihmë urgjente për babanë e tij, i cili vuante nga një sëmundje onkologjike dhe, sipas informacioneve jozyrtare, dyshohet se kishte konsumuar antifriz me qëllim vetëvrasjeje.

Konflikti shpërtheu pas një mosmarrëveshjeje për transportimin e pacientit drejt Qendrës Klinike “Nënë Tereza”. Sipas raportimeve, babai dhe djali sulmuan mjekun dhe infermieren, duke u shkaktuar lëndime trupore.

Të dy punonjësit shëndetësorë morën trajtim në spital, ndërsa rasti është denoncuar në polici.

Shoqata e Infermierëve “Për Ne” dënoi ashpër sulmin dhe kërkoi masa urgjente për mbrojtjen e personelit shëndetësor.