Tronditëse në SHBA, 4-vjeçari gjen armën e mbushur dhe qëllon veten, gjithçka ndodhi teksa luante në apartament

Një ngjarje tronditëse ka ndodhur në Cincinnati të Ohajos, SHBA, ku një djalë vetëm 4 vjeç ka humbur jetën pasi ka gjetur një armë të mbushur me fishekë, të lënë të fshehur poshtë krevatit në apartamentin ku po qëndronte.

Sipas policisë, vogëlushi Ceontay Miller Jr. ndodhej nën kujdesin e tezes dhe partnerit të saj, të cilët dyshohet se e kishin lënë vetëm me vëllain e tij 1-vjeçar, ndërsa fëmijët po shikonin televizor, raporton Daily Mail.

Në një moment, 4-vjeçari ka zbuluar armën poshtë krevatit dhe, teksa po luante me të, e ka drejtuar drejt vetes dhe ka tërhequr këmbëzën. Fëmija u dërgua me urgjencë në spitalin Mercy West, por mjekët nuk mundën t’i shpëtonin jetën.

Ngjarja mori një tjetër kthesë tronditëse kur një fqinje gjeti vëllain e vogël, vetëm 1 vjeç, duke lëvizur i vetëm në korridorin e pallatit dhe të mbuluar me gjak.

Gruaja, Latoya Davis, tregoi se kishte zbritur me nxitim për të ndihmuar dhe kishte telefonuar menjëherë urgjencën. Ajo u kujdes për foshnjën për më shumë se pesë orë, pasi kuptoi se ai kishte mbetur pa kujdestari.

Policia arrestoi Cameron Sanders, 25 vjeç, dhe Cekyiah Miller, 22 vjeçe, të cilët akuzohen për neglizhencë dhe vepra të tjera penale.

Gjatë kontrollit në apartament, hetuesit zbuluan më shumë se 90 gramë kokainë, një armë tjetër zjarri të pasiguruar në një dollap kuzhine, si dhe prova të tjera që lidhen me posedimin e paligjshëm të armëve dhe trafikun e drogës.

Sanders përballet me gjashtë akuza, përfshirë vrasje të pavullnetshme, rrezikim të mirëqenies së fëmijëve, trafik droge dhe posedim të paligjshëm të armës. Ndërsa Miller akuzohet për dy raste të rrezikimit të fëmijëve dhe trafik droge.

Avokatja e Miller ka pretenduar se klientja e saj nuk ishte në dijeni të armëve dhe drogës në banesë. Megjithatë, dokumentet e policisë tregojnë se ajo u kishte thënë më parë autoriteteve se partneri i saj kishte një armë.

Të dy të arrestuarit ndodhen në paraburgim, teksa Sanders ka një garanci prej 82,500 dollarësh, ndërsa Miller prej 40,000 dollarësh. Ata pritet të dalin para gjykatës më 30 nëntor.