Gani Koci: Të bashkohesh me Kurtin, Dejonen e Gervallen në emër të UÇK-së, njësoj sikur të bashkohesh me Drecunin!

Ish-deputeti i PDK-së, Gani Koci, ka reaguar ndaj deklaratës së Vlora Çitakut, e cila tha se „UÇK-ja na bashkon me VV-në“, duke kundërshtuar ashpër idenë e bashkëpunimit politik me Lëvizjen Vetëvendosje në emër të vlerave të luftës çlirimtare.

Përmes një reagimi publik, Koci ka përmendur emrat e Albin Kurtit, Dejona Mihalit dhe Donika Gërvallës, duke i krahasuar me figura serbe, për të cilat ai pretendon se kanë pasur qëndrime kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

„Të bashkohesh me Albin Kurtin, Dejona Mihalin dhe Donika Gërvallën në emër të mbrojtjes së vlerave të UÇK-së dhe të çlirimtarëve në Hagë, është njësoj sikur të bashkohesh me Millovan Drecunin, Mira Markoviqin dhe Danica Marinkoviqin!“, ka shkruar Koci.

Reagimi i tij vjen pas deklaratës së Çitakut, e cila e ka vendosur UÇK-në si pikë të përbashkët që mundëson afrimin politik mes PDK-së dhe Vetëvendosjes.

Me këtë reagim, Koci ka kundërshtuar publikisht këtë qasje, duke hapur një tjetër debat brenda skenës politike në Kosovë për raportet mes partive politike dhe qëndrimet e tyre ndaj luftës së UÇK-së dhe proceseve gjyqësore në Hagë.