Zelensky pranon përgjegjësinë për sulmin me dron ndaj anijes ruse në Gjirin e Finlandës

Ukraina ka marrë përsipër përgjegjësinë për sulmin me dron ndaj një anijeje mallrash ruse në Gjirin e Finlandës, i ndodhur të shtunën. Konfirmimi erdhi nga presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, duke shënuar deklarimin e parë zyrtar të Kievit për përfshirjen në këtë sulm.

Sipas Zelenskyt, anija “Sparta II” ishte një objektiv i ligjshëm për forcat ukrainase, pasi dyshohet se transportonte armë.

Sulmi u krye me dron, ndërsa pas goditjes anija mori flakë dhe përfundoi në ujërat finlandeze. Ajo qëndroi përkohësisht në spirancë pranë Helsinkit, përpara se të tërhiqej me rimorkiator drejt territorit rus.

Presidenti ukrainas pranoi se ky sulm mund të ketë shkaktuar shqetësim te disa prej aleatëve të Ukrainës, veçanërisht në Evropë, për shkak të rrezikut të përhapjes së konfliktit edhe në zona të tjera të rajonit.

Shqetësim për situatën kanë shprehur edhe Gjermania dhe Norvegjia. Ministri norvegjez i Mbrojtjes, Tore Sandvik, bëri të ditur se vendi i tij është në kontakt të vazhdueshëm me Ukrainën për të diskutuar nevojën për ruajtjen e stabilitetit në rajon.

“Sulmet do të ndaleshin menjëherë nëse Rusia do t’i jepte fund kësaj lufte. Megjithatë, theksojmë se Ukraina duhet të veprojë në përputhje me të drejtën ndërkombëtare”, deklaroi Sandvik gjatë një konference për shtyp