Nelson Hysa sfidon kampionin e botës Agit Kabayel për titullin WBC!

Më 28 nëntor, sytë e tifozëve shqiptarë të boksit do të jenë të drejtuar nga Düsseldorf i Gjermanisë. Boksieri shqiptar Nelson Hysa do të ngjitet në ring për t’u përballur me kampionin e botës në peshat e rënda, Agit Kabayel, në një duel për titullin prestigjioz botëror WBC.

Kjo është sfida më e madhe e karrierës profesionale për Nelson Hysën, i cili synon të shkruajë historinë dhe ta vendosë Shqipërinë në majat e boksit botëror.

Boksieri shqiptar, i njohur me nofkën “The Albanian Eagle”, vjen në këtë përballje me një rekord të jashtëzakonshëm: 25 fitore, asnjë humbje dhe 23 nokaut. Fuqia e tij goditëse e bën një kundërshtar që duhet marrë seriozisht, pavarësisht përvojës së madhe të kampionit gjerman.

Në anën tjetër qëndron Agit Kabayel, kampioni aktual i botës në versionin WBC, i cili ka regjistruar 27 fitore pa asnjë humbje, prej të cilave 19 me nokaut.

Kabayel do të mbrojë për herë të parë titullin e tij botëror, pasi ishte ngritur në statusin e kampionit të plotë të WBC-së në qershor të këtij viti.

Një shqiptar përballë kampionit të botës

Për Nelson Hysën, kjo është mundësia për të arritur majën e karrierës dhe për të fituar një nga titujt më të rëndësishëm në boksin profesionist.

Një fitore ndaj Kabayelit do të ishte një rezultat historik për boksin shqiptar, ndërsa do ta kthente Hysën në një emër të rëndësishëm të kategorisë së rëndë në arenën ndërkombëtare.

Përballja do të zhvillohet më 28 nëntor në stadiumin Merkur Spiel-Arena në Düsseldorf, Gjermani, ndërsa dueli do të transmetohet drejtpërdrejt në platformën DAZN.

Data ka edhe një simbolikë të veçantë për shqiptarët, pasi 28 Nëntori shënon Ditën e Flamurit dhe Pavarësisë së Shqipërisë.

Dy boksierë të pamposhtur, 52 fitore së bashku dhe një titull botëror në lojë.

A do të jetë 28 Nëntori dita kur Nelson Hysa do ta shkruajë historinë dhe do ta sjellë titullin botëror në Shqipëri?