Operacioni policor “EMISAR” në disa lokacione të Bosnjë-Hercegovinës përfundoi me pesë arrestime. Në mesin e të ndaluarve janë ish-komandanti i mbrojtjes së Srebrenicës, Naser Orić, dhe ish-deputetja e Kuvendit të Republikës Srpska, Nikolina Šljivić.
Një operacion i gjerë policor, i zhvilluar më 24 nëntor në Bosnjë dhe Hercegovinë, ka çuar në arrestimin e pesë personave, mes tyre edhe dy emra të njohur për opinionin publik në rajon: Naser Orić dhe Nikolina Šljivić.
Operacioni i koduar “EMISAR” është realizuar nga Ministria e Punëve të Brendshme e Republikës Srpska (MUP RS), në bashkëpunim me Agjencinë Shtetërore për Hetim dhe Mbrojtje (SIPA), në disa lokacione në Republikën Srpska dhe Federatën e Bosnjë-Hercegovinës.
Sipas informacioneve të publikuara nga autoritetet dhe mediave lokale, arrestimet lidhen me dyshimet për ndihmë ndaj Đorđe Ždrale, i cili ndodhet në arrati që nga 2 gushti 2026.
Pse u arrestua Naser Orić dhe Nikolina Šljivić?
Në qendër të hetimit është rasti i një tentim-vrasjeje të ndodhur më 2 gusht në Sarajevën Lindore, kur Đorđe Ždrale dyshohet se qëlloi me armë zjarri ndaj Kosta Pandurević, duke e plagosur rëndë.
Pas këtij incidenti, Ždrale u largua dhe që atëherë është në kërkim të policisë.
Hetuesit dyshojnë se disa persona kanë ndihmuar në organizimin e arratisjes dhe fshehjen e tij, si dhe në pengimin e hetimeve dhe manipulimin e provave në lidhje me rastin.
Të arrestuarit dyshohen për vepra penale që lidhen me kryerjen e veprave penale në kuadër të një grupi të organizuar kriminal dhe pengimin e të provuarit, në lidhje me veprën e tentim-vrasjes së rëndë.
Autoritetet ende nuk kanë bërë publike të gjitha detajet mbi rolin individual të secilit prej të arrestuarve.
Kush janë pesë të arrestuarit?
Përveç Naser Orićit dhe Nikolina Šljivić, në mesin e të arrestuarve janë edhe Mesud Mustafić, djali i tij Mustafa Mustafić dhe avokati Siniša Derganc nga Sarajeva Lindore.
Orić u arrestua në zonën e Olovos, ndërsa Šljivić në Sarajevën Lindore.
Gjatë operacionit janë kontrolluar disa objekte dhe prona që lidhen me personat nën hetim, përfshirë edhe prona të Đorđe Ždralës.
Sipas raportimeve të policisë, gjatë kontrolleve janë sekuestruar tetë pistoleta, rreth 30 mijë marka konvertibile, 10 mijë euro, telefona celularë dhe një kompjuter.
Vetë Đorđe Ždrale nuk është gjetur gjatë këtij operacioni dhe vazhdon të jetë në arrati.
Kush është Nikolina Šljivić?
Nikolina Šljivić është ish-deputete e Kuvendit Popullor të Republikës Srpska. Ajo ka fituar mandatin përmes listës kompensuese të Partisë Demokratike Popullore (DNS) dhe ka qenë pjesë e skenës politike në këtë entitet të Bosnjë-Hercegovinës.
Arrestimi i saj në kuadër të të njëjtit operacion me Naser Orićin ka tërhequr vëmendjen e opinionit publik, për shkak të profileve të ndryshme politike dhe publike të personave të përfshirë.
Naser Orić, emër i njohur nga lufta në Bosnjë
Naser Orić është një nga figurat më të njohura të luftës në Bosnjë dhe Hercegovinë. Gjatë luftës së viteve 1992–1995 ishte komandant i forcave boshnjake në zonën e Srebrenicës.
Ai ishte gjykuar nga Tribunali i Hagës për përgjegjësi lidhur me vrasjen dhe keqtrajtimin e të burgosurve serbë. Në vitin 2006 ishte dënuar në shkallën e parë me dy vjet burg, por në vitin 2008 Dhoma e Apelit e Tribunalit e liroi nga të gjitha akuzat.
Arrestimi i tij i fundit nuk lidhet me atë proces gjyqësor, por me një hetim të ri për dyshimet që kanë të bëjnë me ndihmën ndaj Đorđe Ždralës.
Hetimet vazhdojnë
Pas arrestimeve, pesë personat janë dërguar për procedura policore dhe pritet të trajtohen nga organet kompetente të drejtësisë në Banjallukë.
Operacioni “EMISAR” është zhvilluar nën mbikëqyrjen e Prokurorisë Publike të Republikës Srpska.
Ndërkohë, policia vazhdon kërkimet për Đorđe Ždralën, i cili dyshohet për tentim-vrasjen e Kosta Pandurević.


