Një punonjës i Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Ndihmën ndaj Refugjatëve Palestinezë (UNRWA) është vrarë, ndërsa tre të tjerë kanë mbetur të plagosur pas një sulmi izraelit pranë një pusi uji në Jabalia, në veri të Rripit të Gazës.
Lajmi është konfirmuar nga zëdhënësi i Kombeve të Bashkuara, i cili bëri të ditur se punonjësit po kryenin detyrat e tyre të zakonshme për të siguruar shërbimet bazë për banorët e zonës.
Me vrasjen e fundit, numri i punonjësve të UNRWA-s që kanë humbur jetën në Gaza që prej 7 tetorit 2023 ka shkuar në 397. Kjo është dita kur Hamasi kreu sulmin ndaj Izraelit, duke shënuar nisjen e luftës në Gaza.
Sipas të dhënave të OKB-së, gjatë së njëjtës periudhë, në Rripin e Gazës kanë humbur jetën gjithsej 600 punonjës humanitarë.
Kombet e Bashkuara kanë përsëritur thirrjen për mbrojtjen e civilëve, punonjësve humanitarë dhe infrastrukturës civile, duke theksuar se ata duhet të jenë të mbrojtur në çdo rrethanë.


