U mbajtën peng për disa orë në një supermarket në Kolumbi, policia shpëton 30 persona, vritet një prej autorëve

Ka marrë fund pa pasoja për pengjet kriza disaorëshe në një supermarket në qytetin e Kartagjenës, në Kolumbi. Forcat e policisë dhe ushtrisë kanë ndërhyrë duke bërë të mundur lirimin e të gjithë 30 personave që mbaheshin peng nga persona të armatosur.

Operacioni i shpëtimit u zhvillua pas një përballjeje që zgjati më shumë se 14 orë. Sipas autoriteteve, personat e armatosur kishin tentuar fillimisht të grabisnin një automjet të blinduar që transportonte para, por pasi plani i tyre dështoi dhe u rrethuan nga policia, u futën në supermarketin Éxito, në lagjen La Castellana, duke marrë peng klientë dhe punonjës.

Gjatë zhvillimit të ngjarjes, disa prej pengjeve u liruan, ndërsa pjesa tjetër mbeti brenda ambienteve të supermarketit deri në ndërhyrjen përfundimtare të forcave speciale.

Sipas raportimit të Reuters, operacioni i përbashkët i policisë dhe ushtrisë përfundoi me shpëtimin e të gjithë pengjeve. Njëri prej personave që mbante pengjet u vra gjatë ndërhyrjes, ndërsa autoritetet nuk kanë bërë ende të ditur identitetet e personave të përfshirë.

Ngjarja shkaktoi alarm të madh në qytetin turistik të Kartagjenës, ku zona përreth supermarketit u rrethua nga forcat e sigurisë. Për shkak të operacionit, aeroporti i qytetit pezulloi përkohësisht uljet e avionëve, përpara se aktiviteti të rikthehej gradualisht në normalitet.

Autoritetet kolumbiane e kanë lidhur ngjarjen me një tentativë grabitjeje të një automjeti të blinduar dhe jo me një sulm terrorist apo veprim të grupeve guerile.