SHBA-të tërhiqen nga plani për marrëveshje biznesi me Rusinë

Administrata Trump ka hequr përkohësisht nga tryeza e negociatave idenë e përdorimit të marrëveshjeve ekonomike dhe investimeve amerikane si nxitje për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.

Lajmi bëhet i ditur nga Financial Times, sipas të cilit Moska ka treguar pak interes për projektet e propozuara në sektorin e energjisë dhe aviacionit.

Të dërguarit e presidentit amerikan, Steve Witkoff dhe Jared Kushner, u kanë komunikuar zyrtarëve europianë se bashkëpunimi mes kompanive amerikane dhe ruse nuk është më një element kyc i ofertës së Uashingtoniit ndaj Moskës.

Mes propozimeve të diskutuara kanë qenë investimet amerikane në projektet e naftës, prodhimin e titanit, si dhe përfshirja e investitorëve amerikanë në gazsjellësit Nord Stream.

Megjithatë, Moska duket se e ka humbur interesin për këto oferta, duke këmbëngulur në lëshime territoriale nga Ukraina, kushte që Kievi i konsideron të papranueshme.

Ekspertët theksojnë se zhvillimi sinjalizon vështirësitë e administratës Trump për të gjetur një formulë kompromisi mes Moskës dhe Kievit, ndërsa perspektiva e një marrëveshjeje për përfundimin e luftës mbetet e pasigurt.