Për herë të parë në histori, një nënë fiton kurorën e Miss Universe 2026

Për herë të parë në historinë e konkursit të bukurisë Miss Universe, kurorën e më të bukurës në botë e fiton një nënë. Bëhet fjalë për 27-vjeçaren Jennifer Barreto nga Porto Riko, e cila u shpall fituese e edicionit të vitit 2026.

Finalja e konkursit u zhvillua të martën, më 24 nëntor, në San Juan të Porto Rikos, ndërsa Barreto arriti të triumfojë mes 117 konkurrenteve nga më shumë se 110 vende të botës.

Përveç angazhimit të saj në botën e bukurisë, fituesja e re punon si psikologe dhe punonjëse sociale. Ajo është gjithashtu nënë e një vajze, të quajtur Penelope, duke shënuar kështu një moment historik për këtë kompeticion prestigjioz.

Kurora iu dorëzua nga Miss Universe 2025, Fatima Bosch. Bizhuteria e këtij edicioni, e pagëzuar me emrin “Shkëlqimi i një trashëgimie të përjetshme”, është punuar me ar të bardhë 18-karatësh dhe zbukuruar me 3,150 diamante.

Në pesëshen finaliste u renditën gjithashtu përfaqësueset e Filipineve, Zelandës së Re, Venezuelës dhe Republikës Dominikane. Në këtë edicion morën pjesë 117 konkurrente, mes tyre edhe përfaqësuese të vendeve që debutuan për herë të parë në këtë fazë të konkursit, si Shën Martini dhe Uganda.

Mbrëmja u prezantua nga moderatori Mario Lopez dhe Miss Universe 2022, R’Bonney Gabriel. Gjatë prezantimit u bë e ditur se mes 117 konkurrenteve kishte 22 gra me diploma master, pesë mjeke dhe dhjetë nëna.

Përpara finales, konkurrentet iu nënshtruan disa etapave, përfshirë intervistat, sfilatën me veshje kombëtare dhe konkurrimin paraprak.

Një tjetër njoftim i rëndësishëm gjatë mbrëmjes ishte se Porto Riko do të jetë mikpritëse e edicionit të 76-të të Miss Universe, i cili do të zhvillohet në vitin 2027.

Megjithatë, ky edicion ishte shoqëruar me polemika edhe përpara finales. Disa konkurrente nga vendet afrikane thuhet se u përballën me vështirësi për pjesëmarrjen për shkak të kufizimeve në pajisjen me viza.