HUMBI…! Nelson Hysa tërhiqet në raundin e dytë pas dëmtimit, por rrugëtimi i tij mbetet historik

Ëndrra e boksierit shqiptar Nelson Hysa për t’u shpallur kampion bote në peshën e rëndë është ndërprerë në raundin e dytë të përballjes me Agit Kabayel, në duelin e zhvilluar në Dyseldorf të Gjermanisë.

Hysa u detyrua të tërhiqej nga ndeshja për shkak të një dëmtimi në krahun e tij të djathtë, duke mos mundur ta vazhdonte më tej përballjen. Këndi i boksierit shqiptar vendosi të dorëzohej, duke i dhënë fund sfidës që ishte pritur me emocione të mëdha nga tifozët shqiptarë.

42-vjeçari përjetoi kështu humbjen e parë në karrierën e tij profesioniste. Para këtij dueli, Hysa kishte regjistruar 25 fitore në 25 përballje, duke mbajtur një rekord të pamposhtur.

Në anën tjetër, Agit Kabayel vazhdoi serinë e tij pa humbje, duke regjistruar një tjetër fitore në karrierën profesioniste.

Në Dyseldorf ishin mbledhur mijëra tifozë shqiptarë, të cilët kishin udhëtuar për ta mbështetur Hysën dhe për të qenë dëshmitarë të një momenti historik për boksin shqiptar. Atmosfera ishte e jashtëzakonshme, ndërsa shpresat për një triumf shqiptar ishin të mëdha.

Megjithatë, edhe pse ëndrra për titullin botëror nuk u realizua, mbërritja e Nelson Hysës deri në këtë nivel përbën një arritje të jashtëzakonshme, si për vetë boksierin, ashtu edhe për boksin shqiptar në përgjithësi.

Humbja e parë nuk e fshin rrugëtimin, punën dhe sukseset e tij deri në këtë përballje. Nelson Hysa largohet nga Dyseldorfi pa titullin e dëshiruar, por me një përvojë të madhe në arenën ndërkombëtare dhe me mbështetjen e mijëra shqiptarëve që besuan tek ai.