42-vjeçarja nga Gostivari në gjendje të rëndë pas dhunës nga bashkëshorti

“Një grua 42-vjeçare nga fshati Toplicë i komunës së Vrapcishtit është dhunuar rëndë fizikisht për dy ditë me radhë nga bashkëshorti i saj M.M-52-vjeçar, i cili sipas informacioneve zyrtare është person me probleme të shëndetit mendor. Për rastin është njoftuar Prokurori publik, ndërsa 52-vjeçari është dërguar për trajtim në Spitalin Psikiatrik dhe pritet të ngrihet kallëzim penal. Gruaja aktualisht trajtohet në qendrën e kujdesit intenziv KARILL”, raporton Arta Kalisi, gazetare.

“42-vjeçarja nga Gostivari është pranuar në Qendrën Klinike Universitare në orën 18:08. Ajo ka lëndime në pjesën e kraharorit dhe në kokë. Sipas deklaratës së saj, lëndimet janë shkaktuar nga bashkëshorti i saj. Janë kryer procedurat diagnostikuese dhe janë konstatuar lëndime të rënda trupore, thyerje të brinjëve dhe pneumotoraks i pjesshëm. Gjithashtu, ka pasur edhe gjakderdhje në kokë. Pacientja është pranuar në Klinikën e Mjekimit Intensiv. Për momentin është stabile, e vetëdijshme dhe komunikon”, tha Igor Merdzhanovski- Drejtor i Kujdesit Intenziv.

Rasti është raportuar në polici me datë 27 nëntor rreth orës 12:30 nga babai i dhunuesit, ndërsa rreth dy orë më pas ka ndërhyrë policia dhe ka arrestuar 52-vjeçarin M.M.

“Më 27.11.2026, në orën 14:10, në një fshat të rajonit të Gostivarit, zyrtarët policorë nga Stacioni Policor në Gallatë e kanë privuar nga liria M.M. (52) nga i njëjti fshat, person me probleme të shëndetit mendor. Më herët, babai i tij kishte raportuar se rreth orës 12:30, në shtëpinë familjare, ai kishte sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij 42-vjeçare, duke përdorur një mjet të mprehtë dhe duke i shkaktuar lëndime. Gjithashtu, gjatë arrestimit, ai kishte bërë rezistencë dhe kishte sulmuar fizikisht zyrtarët policorë, duke plagosur njërin prej tyre”, thonë nga Ministria e Punëve të Brendshme.

Gruaja e dhunuar momentalisht është në vetëdije por në gjendje të rëndë dhe gjatë ditës së nesërme pritet të dërgohet në repart për mjekim të vazhdueshëm. Sipas Prokurorisë publike rasti do të hetohet dhe në bazë të provave do të përcaktohet vepra penale për dhunuesin. /Alsat.mk