Një gjest humanitar është ndërmarrë nga aktivisti nga Shkupi, Kemal Shkrijelj, i cili së bashku me disa bamirës ka siguruar ushqim për tre muaj për familjen e Ajdinit, punëtorit të Higjienës Komunale që u rrah nga një grup personash të njohur si “komitët”, natën e 28 Nëntorit, përcjell Zyrtare.net
Shkrijelj ka bërë të ditur se ndihma është siguruar falë kontributit të Bujar Dullovit, Abedin Aliut, Armend Salihut dhe Shpat Isra, ndërsa ka bërë thirrje që edhe qytetarë të tjerë të solidarizohen me familjen.
Sipas tij, Ajdini është baba i tetë fëmijëve, ndërsa familja përballet me nevoja të mëdha ekonomike. Ai ka bërë të ditur se njëri prej fëmijëve vuan nga epilepsia.
“Qëllimi i këtij aksioni është të mbledhim 10 mijë euro, të cilat do t’ia dorëzojmë familjes së Ajdinit”, ka shkruar Shkrijelj, duke ftuar të gjithë ata që kanë mundësi të kontribuojnë përmes kontaktit në inbox.
Ky aksion vjen pas rastit të dhunës ndaj dy punëtorëve shqiptarë të Higjienës Komunale në Shkup, të cilët u sulmuan gjatë mbrëmjes së 28 Nëntorit./zyrtare.net


