Lëvizja Studentore denon dhunën ndaj babait të tetë fëmijëve: Kërkohet identifikimi dhe ndëshkimi i 15 personave

Lëvizja Studentore ka reaguar ashpër ndaj një rasti të rëndë dhune ndaj një qytetari, baba i tetë fëmijëve, duke kërkuar nga institucionet kompetente zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe vënien para drejtësisë të të gjithë personave të përfshirë.

Sipas reagimit të kësaj lëvizjeje, viktima është një burrë i ndershëm dhe punëtor, i cili krahas punës në sektorin privat, gjatë natës punon edhe në Higjienën Komunale, me qëllim që të sigurojë bukën e gojës për familjen e tij.

Lëvizja Studentore bën të ditur se qytetari është përballur me dhunë brutale nga një grup prej 15 personash, të cilët, sipas reagimit, janë deklaruar si komitë të palës maqedonase.

Në reagim kërkohet që institucionet të ndërmarrin masa të menjëhershme, të identifikojnë të gjithë të përfshirët në këtë sulm dhe të sigurojnë që përgjegjësit të dalin para drejtësisë.

Lëvizja Studentore ngre gjithashtu pikëpyetje për trajtimin institucional të rasteve të dhunës, duke rikujtuar se Ministria e Punëve të Brendshme kishte njoftuar se lidhur me ngjarjet e 28 Nëntorit, 13 persona ishin në kërkim, ndërsa dy të tjerë ishin privuar nga liria.

“Çfarë po ndodh me 15 personat që kanë dhunuar një baba të tetë fëmijëve? A do të identifikohen? A do të merren masa ndaj tyre? A do të zbatohet ligji njësoj për të gjithë?”, janë pyetjet që parashtron Lëvizja Studentore.

Në fund të reagimit, kjo lëvizje thekson se nuk kërkon privilegje për askënd, por drejtësi, barazi para ligjit dhe mbrojtje për çdo qytetar, pavarësisht përkatësisë etnike apo politike.

“Dhuna nuk ka kombësi, por përgjegjësia është individuale dhe secili që ushtron dhunë duhet të japë llogari”, thuhet në reagim.