Kuvendi i Kosovës është shpërndarë të martën e 28 prillit, pasi ky Kuvend ka dështuar të zgjedh Presidentin e ri të shtetit me mandat 5 vjeçar.
Më 5 mars, Lëvizja Vetëvendosje tentoi të zgjedh presidentin duke propozuar kandidatë për President Glauk Konjufcën, e më pas si kundërkandidate Fatmire Mulhaxha Kollçakun. Kjo seancë nuk pati kuorum duke e pamundësuar votimin, e menjëherë pasi kaloi 5 marsi presidentja Osmani, shpërndau Kuvendin përmes një dekreti.
Ky dekret u dërgua nga VV në Gjykatë Kushtetuese, të cilët i dhanë Kuvendit edhe 34 ditë kohë për të zgjedhur presidentin, afat ky i pasuksesshëm pasi as pas 34 ditëve zgjidhje nuk pati.
Pavarësisht takimeve e tentimeve, partitë politike në vend nuk arritën të gjejnë një kandidat për President që do të merrte 80 votat e nevojshme.
Më 28 prill, pasi dështoi votimi i kandidateve Feride Rushiti dhe Hatixhe Hoxha, Kuvendi përfundimisht u shpërnda duke e çuar vendin sërish në zgjedhje të jashtëzakonshme.
Në lidhje me situatën e krijuar në vend, me institucione që nuk po arrijnë ta kryejnë mandatin e tyre, për lajmi.net ka folur Ambasada e Gjermanisë në Kosovë.
Duke e rikonfirmuar miqësinë mes dy vendeve, nga kjo ambasadë kanë thënë se në rrugën drejt integrimit euro-atlantik të Kosovës, duhet të ketë institucione të mandatuara.
“Gjermania mbetet një mike e afërt dhe partnere e përkushtuar për Kosovën në rrugën e saj drejt integrimit euro-atlantik. Përparimi në këtë rrugë kërkon institucione plotësisht të mandatuara, funksionale, të qëndrueshme dhe efektive”, kanë thënë nga kjo ambasadë.
Përpos kësaj, nga Ambasada e Gjermanisë kanë shprehur keqardhje për situatën në të cilën ndodhet Kosova.
“Në këtë kontekst, është për të ardhur keq që po humbet kohë e çmuar për shkak të një raundi tjetër zgjedhjesh parlamentare. Prioriteti tani duhet të jetë që të ndërmerren dhe të zbatohen pa vonesë të gjitha hapat e nevojshëm, në përputhje të plotë me Kushtetutën, ligjet në fuqi dhe vendimet përkatëse të Gjykatës Kushtetuese”, kanë thënë nga Ambasada e Gjermanisë në Kosovë për lajmi.net.
Kosova do të ketë zgjedhje përsëri me 7 qershor, të tretat parlamentare që nga 9 shkurti 2025. U.d presidentja Albulena Haxhiu caktoi 7 qershorin pas takimit që pati javën që shkoi me përfaqësuesit e partive politike në vend.
Thuajse njëzëri, si rrallëherë partitë politike ishin që data e zgjedhjeve të jetë 7 qershori që edhe Komisioni Qendror Zgjedhor të ketë kohën e nevojshme të përgatitjes.
Më 9 shkurt pavarësisht se u mbajtën zgjedhjet, deputetët e zgjedhur nuk arritën për mbi 50 seanca që të zgjedhin kryetarin e Parlamentit dhe nënkryetarët. Pasi u zgjodh Dimal Basha, VV-ja që doli e para në ato zgjedhje nuk arriti të formoj Qeverinë duke e shpërndarë përsëri Kuvendin.
Kjo situatë detyroi që vendi të mbaj zgjedhje përsëri më 28 dhjetor, të cilat e nxorën fitues absolut Albin Kurtin dhe VV-në me mbi 51%. Pavarësisht se i pati 66 deputetë bashkë me minoritete dhe arriti të formoj Kuvendin dhe Qeverinë, ata nuk ia dolën të zgjedhin Presidentin.
Zgjedhjet e ardhshme do të mbahen më 7 qershor në një situatë të përshpejtuar. KQZ vetëm se ka filluar përgatitjet për këto zgjedhje, të cilat pritet të sjellin një zgjidhje për vendin.

