Politikani shqiptar në Zvicër, Përparim Avdili, kërcënohet bashkë me familjen – autori dënohet me gjobë

Një 32-vjeçar nga Mali i Zi, me banim në kantonin e Schwyz, është dënuar pasi përmes Instagramit kishte fyer dhe kërcënuar politikanin shqiptar Përparim Avdili dhe familjen e tij. Ai duhet të paguajë gjobë dhe shpenzimet gjyqësore në vlerë prej 1.550 frangash.

Rasti kishte ndodhur në fillim të vitit 2026, gjatë fushatës zgjedhore të Përparim Avdilit (39), kandidat për kryetar të qytetit të Cyrihut dhe kryetar i FDP-së në Cyrih.

Sipas raportimit të gazetës zvicerane Blick, mesazhi i parë nga një llogari anonime në Instagram kishte mbërritur më 28 shkurt, në orën 01:15 pas mesnatës. Fillimisht bëhej fjalë për fyerje dhe akuza politike, por situata u përshkallëzua kur personi anonim dërgoi edhe një mesazh kërcënues ndaj Avdilit dhe familjes së tij.

Në njërin prej mesazheve shkruhej: “Uroj që ju dhe e gjithë familja juaj ta përjetoni atë që u ndodhi njerëzve në Gaza dhe ta shihni të ndodhë”.

Kërcënimi e shqetësoi seriozisht politikanin shqiptar, i cili vendosi ta informojë familjen, të paraqesë rastin në polici dhe të ndryshojë agjendën e tij elektorale. Madje, ai anuloi edhe disa paraqitje gjatë fushatës.

“Për herë të parë në jetën time, shikova përreth para se të dilja nga shtëpia ime”, ka deklaruar Avdili, duke përshkruar ndikimin që pati ky rast tek ai.

Policia e identifikoi autorin brenda tri ditësh

Hetimet policore rezultuan të suksesshme brenda vetëm tri ditësh. Autoritetet arritën të identifikonin një 32-vjeçar me origjinë nga Mali i Zi, banues në kantonin e Schwyz, i cili ishte përpjekur të fshihej pas një profili anonim në rrjetet sociale.

Ai u arrestua dhe kaloi një ditë në paraburgim.

Zyra e Prokurorisë Publike në Schwyz më pas lëshoi një urdhër penal për keqpërdorim të një sistemi telekomunikacioni, pasi i dënuari kishte përdorur këtë platformë për të shqetësuar dhe ngacmuar Avdilin.

Sipas vendimit, 32-vjeçari është dënuar me 30 ditë-gjobë, nga 40 franga secila, ku një ditë llogaritet si e vuajtur për shkak të paraburgimit. Pjesa tjetër e dënimit është pezulluar me kusht për një periudhë prove prej tre vjetësh.

Përveç kësaj, ai duhet të paguajë 300 franga gjobë dhe 1.250 franga shpenzime procedurale.

Avdili: Jo gjithçka në internet mbetet pa pasoja

Politikani shqiptar ka bërë të ditur se ky rast nuk ishte i vetmi gjatë fushatës zgjedhore. Sipas tij, ai kishte marrë dhjetëra mesazhe fyese dhe sulme në rrjetet sociale.

Avdili pretendon se një pjesë e këtyre sulmeve kishin ardhur nga organizata dhe persona pro-palestinezë, të cilët e kishin etiketuar me fyerje të ndryshme për shkak të qëndrimeve të tij kundër antisemitizmit në qytetin e Cyrihut.

Megjithatë, ai vendosi të mos kërkojë kompensim financiar për dëmet e shkaktuara, duke theksuar se shqetësimi i tij kryesor kishte qenë siguria e familjes.

Për Avdilin, vendimi gjyqësor përbën një mesazh të qartë se fyerjet dhe kërcënimet në internet mund të kenë pasoja ligjore.

“Jo gjithçka kalon pa u ndëshkuar”, është mesazhi i tij pas përfundimit të rastit.