Disa përdorues në rrjetet sociale po pretendojnë se blerjet online janë bërë më të shtrenjta për shkak të një tarife të re të importit të vendosur nga Bashkimi Evropian.
Më 1 korrik, Komisioni Evropian vendosi një tarifë të përkohshme prej 3 eurosh për trajtimin doganor të pakove me vlerë deri në 150 euro, të cilat hyjnë në BE nga vende jashtë bllokut dhe dërgohen drejtpërdrejt te konsumatorët, shkruan Euronews.
Komisioni thotë se kjo tarifë synon të krijojë konkurrencë më të drejtë për bizneset evropiane dhe të mbulojë kostot e përpunimit të numrit gjithnjë e më të madh të dërgesave me vlerë të ulët. Masa do të mbetet në fuqi deri më 1 korrik 2028, kur pritet të zëvendësohet si pjesë e reformës më të gjerë doganore të BE-së.
Njoftimi shkaktoi debat në internet, pasi disa përdorues argumentuan se konsumatorët do të përfundojnë duke paguar më shumë.
Në një postim në X, Komisioni Evropian sqaroi se tarifa u ngarkohet platformave të tregtisë elektronike dhe jo drejtpërdrejt blerësve.
Një zëdhënës i Komisionit Evropian i tha ekipit të verifikimit të fakteve të Euronews, The Cube, se “konsumatorët që blejnë online nuk janë ligjërisht përgjegjës për pagesën e kësaj tarife”.
Megjithatë, ai shtoi se Komisioni nuk mund të garantojë se si shitësit ose platformat do ta përballojnë këtë kosto.
Ekspertët thonë se, në praktikë, edhe pse tarifa paguhet ligjërisht nga kompanitë, ekziston mundësia që ato ta transferojnë këtë kosto te konsumatorët përmes rritjes së çmimeve.
Sasho Klekovski, kandidati për Shëndetësinë që është mjek me diplomë, por pa përvojë në profesion
Read more



