Afera energjetike: BDI publikon kontratën, akuzon Burim Latifin (DOKUMENT)

Partia Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka publikuar një kontratë që, sipas saj, dëshmon mënyrën e menaxhimit të projekteve strategjike energjetike në dëm të interesit publik dhe buxhetit të shtetit, raporton faktiditor.info

Bëhet fjalë për një marrëveshje të nënshkruar nga drejtuesi Burim Latifi me kompaninë Elnos nga Republika Serpska, që lidhet me ndërtimin e largpërçuesit ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.

Sipas BDI-së, kjo kontratë ngre disa shqetësime serioze. Partia opozitare thekson se kompania fituese dyshohet të ketë afërsi me struktura politike në Republika Serpska, përfshirë rrethin e Milorad Dodik, gjë që, sipas tyre, hap dilema për ndikime politike në projekte strategjike energjetike.

Po ashtu, BDI vlerëson se procesi i përzgjedhjes dhe negocimit ka qenë i paqartë dhe i mbyllur për publikun, ndërsa pretendon se këto kontrata i kanë shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm prej të paktën 6 milionë eurosh.

“Ky projekt, që duhej të ishte një urë bashkëpunimi energjetik me Shqipërinë dhe një investim në të ardhmen euroatlantike të vendit, është shndërruar në simbol të keqmenaxhimit dhe mungesës së transparencës”, thuhet në reagimin e BDI-së.

Partia kërkon hetim të menjëhershëm dhe të pavarur për kontratën dhe procedurat përkatëse, publikimin e të gjitha dokumenteve që lidhen me projektin, si dhe përgjegjësi politike dhe ligjore për personat e përfshirë në këtë vendimmarrje.

BDI thekson se qytetarët meritojnë transparencë dhe llogaridhënie, duke shtuar se çdo dëm ndaj buxhetit publik ndikon drejtpërdrejt në zhvillimin e vendit.

By admin1